Nje shkrimtar ne majat e letersise

Prej kohësh bota e krijimtarisë jeton edhe në fushën e letrave me mitin që gatoi teorikisht Roland Barthes. Mitin e sotëm që ai e shpjegoi si një përputhje perfekte me etimologjinë, duke theksuar se “miti është një lloj i të folurit” dhe se tashmë ne e kuptojmë si një mundësi, e cila na lejon të perceptojmë se pikërisht miti nuk është më një objekt, një koncept apo një ide, por është një lloj i kuptimit, një formë. (Barthes, 1989:109) Dhe ky lloj kuptimi për mitin e sotëm është një pasuri e plotë teorike, që na bën ta lexojmë romanin “SOS, një buzëqeshje” të Zija Çelës jo duke fluturuar, ose në fluturim, por duke e lexuar si një mit dhe duke shënuar pikërisht atë lidhje teorike që ushqen mitin me fuqinë e gjërave, jo thjesht të fjalës. E ndeshim këtë edhe në librin e tij “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”, ku fuqishëm kuptohet se miti nuk është i përcaktuar nga objekti i mesazhit të tij, por nga mënyra në të cilën ai e zhvillon këtë mesazh. Dhe ashtu si teoria e Barthes-it, edhe shkrimtari shqiptar, Çela, na jep të kuptojmë nëpërmjet veprave të tij se qyshkur miti është një lloj i shprehjes, “gjithçka mund të jetë mit, me kusht që të jetë përcjellë nga një ligjëratë”. (Barthes, po aty.) Këtu është ajo që e dallon veprën e këtij shkrimtari. Këtu është ajo që vjen dhe shënon mitin. Duke lexuar “SOS, një buzëqeshje”, shohim dhe pikëtakojmë pohimin e Rudi Bodinakut, njërit prej personazheve kryesore, për martesën e dytë. Dasma është një dasmë. Po, dhe pa diskutim. Por një dasmë e interpretuar nga Zija Çela është jo thjesht një dasmë. Ajo është një dasmë “e dekoruar” me fuqinë më të arrirë të humorit, lidhjeve dhe zgjidhjeve të detajit artistik, është një dasmë e adaptuar si një tip i domosdoshëm komunikimi, e ngarkuar me stil, revolta, imazhe, e thënë shkurt, një lloj i përdorimit social që është stiluar si një çështje perfekte “e ditës së fundit të beqarisë”. (SOS, fq. 5) Kjo dasmë mitike, e dalë nga pena e Zija Çelës, duket e papërsëritshme në llojin e vet. Është një formë emergjence, që vjen me tërë fuqinë shprehëse të gjuhës. Është një dasmë që, sipas Gilbert Phelps në “Një guidë e shkurtër te bota e romanit”, lexohet si një lidhje kuptimplote midis mitit dhe vetë romanit. Por, sipas babait të strukturializmit, Claude Levi Strauss, ajo shikohet si freski dhe origjinalitet në koncept dhe mesazh.

* * *

E gjithë kjo freski është miti i letërsisë së pastër (pure), që të shpie te majat letrare Çela. E gjithë kjo mëvetësi, veçanti dhe origjinalitet tipik konvergohet nga diskursi që, përpos mitit, vjen enkas pa limit në këtë roman, duke zgjuar vëmendjen bashkëkohore të analizës, kritikës, zbërthimit dhe derivimit për më tej. Kjo vepër kërkon studim të detajuar. Kërkon vendin në majën e saj. Si pjesë e së tërës, shkrimtari kundron mes gjithë nuancave të ngjyrimit emocional. Herë me gojën e tjetrit, herë me të shprehurën e vetë karakterit, herë me populloren e plakës dhe herë me filozofinë e plakut, i cili nxjerr nga sepeti i gjuhës së tij atë ornament gjuhësor të kashtisur me të shkuarën e njolltë mes frazave të shqipes (”vahjun bin nefethi”), autori na tërheq në një udhëtim imagjinar mes dhe nëpërmjet gjuhës në vend, kohë dhe hapësirë. Kështu, modernia dhe përditësia bëhen një ndërthurje logjike për të udhëtuar në vite dhe për ta stacionuar filozofinë e duhur si një arritje që kurrë më parë s‘është lexuar në letrat shqipe, madje edhe tentuar të jetë e tillë. Duke qëndruar sërish në këtë pikë, është me vend të themi se jo vetëm emrat që gatuan pena e autorit, por edhe lidhjet mes tyre nuk janë thjesht për të thënë autor guximtar, sepse ai ka qenë me kohë i tillë, por një shkrimtar i larguar shumë nga nivelet e tejvlerësuara të mëparshme, një penë që shihet në majën e saj të veçantë. Dhe këtu nuk është vetëm përshkallëzimi figurativ që rimon, por edhe vetë emrat janë në rimë të tillë vallëzuese nën ritëm e përcjellje melodike, rreth formësimit ushtak të buzëve, të cilat përcjellin në mënyrë sublime emra si: Jari Kaçinari, Kakari, Balbona, Ali Qimja, E bija e Licës, ura e Kalipiçit, Koli Rudha, Lica, Lisimak Kateshi, Bakusha, Çuçurusha, Tita, Haxhiduni, Helshani, Biffi (me dy f), lulja Kukurek etj. Vetë këto lidhje përditësie dhe rrethuese të ambientit, që në gjuhën e “plakut” tipik të Çelës ndriçohen vetëm me “dritën e korrentit”, janë ornamente që i jepen lexuesit për të lexuar e mësuar, për të mbajtur mend e përcjellë më tej si elementë tërësorë dhe të kompletuar. Është një përjetim domethënës që lidhet me “mitin si sistem semiologjikal” dhe që në teorinë e Saussure-it kuotohet si një emërtim i tejnjohur për studiuesit: semiologji (Barthes, 1989:111). Por, duke pasur parasysh këta dy filozofë bashkëkohorë, ku referimi është problem i kuptimit, vepra e Çelës bëhet akoma më e kuptueshme duke e lexuar dhe asimiluar atë mbi bazën e psikanalizës, strukturializmit, psikologjisë eidetike, disa llojeve të reja të kritikës letrare, për të cilat tërësia krijuese e Çelës na përcjell shembujt e parë të domosdoshëm të sinjifikimit (shenjimit). Dhe të kuotosh apo përkufizosh sinjifikancën duke lexuar Zija Çelën, është të kesh burim te semiologjia. Unë nuk dua të them se semiologjia mund të përllogarisë për të gjitha llojet e kërkimit në të lexuar në mënyrë të barabartë, por në romanin “SOS, një buzëqeshje” të Zija Çelës këto përllogaritje kanë llogari të ndryshme.

* * *

Përllogaritje të tilla të shpien në mënyrë graduale nëpërmjet mitit te zbulimi i vlerave. Janë vlera që vijnë nëpërmjet fjalisë tipike, përthyerjes së saj, elegancës në të lexuar, por edhe strukturimit e menysë që mbart. Mes kësaj fjalie dhe menyje të plotë lexohen fatet dhe kusuret e karaktereve, fiksohen vendimet e lidhjet mes tërësisë, kapërcehen probleme dhe paraqiten problematika. Kapitulli i shtatë karakterizohet tërësisht i tillë. Shtëpia e Rauf Vilës dhe tërësia që lidhet me të, është një model që kuptohet, jo në aspektin gjeografik të konceptit, as edhe me ndërhyrjen fine që bën autori nëpërmjet dy emrave, Harley Davidson e Harry Potter, por me antagonizmin tipik që vjen si filozofi më vete, kur lexon me temp të ndjeshëm gjithë këtë brengnajë njerëzore. Kjo brengnajë njerëzore vjen si një marrëdhënie që unifikon konceptin e mitit me kuptimin e tij esencial në “marrëdhëniet me deformimin” (Barthes, 122). Këtu gjendet përsëri një analogji formale dhe komplekse e sistemit semiologjik, siç ndeshet edhe ai i psikanalizës. Ashtu siç manifeston Frojdi në teorinë e tij, këtu vjen qartë se kuptimi i sjelljes është deformuar nga koncepti. Natyrisht, ky shtrembërim është i mundur vetëm për shkak të formës së mitit, që Zija Çela e ka tashmë të përbërë filozofikisht nga një kuptim gjuhësor domethënës. Këtu qëndron e veçanta dhe e pakapshmja e këtij shkrimtari me vlera botërore. Këtu duhet parë lidhja e tij me letrat dhe majat e tyre në letërsinë bashkëkohore. Nëse kjo veçori kuptohet qartë, po aq edhe klasifikohet, natyrshëm emrat përreth Zija Çelës kanë gjeografi tjetër, kanë vend dhe kënd tjetër. Jemi në këtë stad. Jemi në majën e autorit shqiptar, i cili ka lënë në duart e lexuesit vepra të tilla si “Gjaku im i errët”, “Oborri i një tirani të fshehtë”, “Las Varrezas” etj., dhe natyrshëm e ndiejmë lartësinë e tij.

 

Lasgush Poradeci ne Korce, per 110-vjetorin e lindjes

Në 110-vjetorin e lindjes së lirikut të madh shqiptar, poetit Lasgush Poradeci, këtë vit është zgjedhur Korça si qendra e një veprimtarie të madhe kushtuar kësaj figure. “Fluturoi dhe shtërgu i fundit” është titulluar aktiviteti kushtuar kësaj figure të rëndësishme të letrave shqipe. Organizatorët, Bashkia e Korçës, biblioteka “Thimi Mitko” dhe shtëpia botuese “Argeta LMG”, janë kujdesur që kudo të ndihet poeti. Aty mes germave të librave, mes vargjeve e studimeve, mes poezive të para, me zërin e tij në këngën e këngëtarëve, në zërat e interpretuesve e nën frymëzimin e kompozitorëve, vizitorët duhet të ndiejnë se ai është gjallë. “110 vjet liqer me puhiza dhe erë e kush nuk piu prej tij e s‘u deh qoftë edhe pak”, thotë poeti Skënder Rusi, i cili i ka kushtuar disa vargje poetit lirik, Lasgush Poradeci. Në vargjet e tij, Rusi e kujton me bastunin përmbi pllaka, sikur trokiste për të hyrë në mijëvjeçarë. “Është një emocion i veçantë. Një aktivitet kushtuar Lasgushit si lirik, studiues e përkthyes. Por në këtë veprimtari është ekspozita që e sjell të gjallë, që shkakton emocione të forta, interpretimi madhështor i poezive të Poradecit nga aktorët e teatrit të Korçës e filmi dokumentar që kulmon kur flet vetë poeti. Botimet në poezi, publicistika e përkthimet janë pjesë e kësaj ekspozite, bashkë me fotografitë e shumta të jetës së lirikut të madh shqiptar. Janë mbi 200 vepra që janë ekspozuar në dy ambiente”, tregon më tej Skënder Rusi, njëkohësisht drejtor i bibliotekës. Botuesi Mehmet Gëzhilli ka sjellë veprat e Lasgushit në këtë vjetor të 110 të lindjes së tij. Si botues ai thotë se nuk mund të merresh me një botim pa studiuar në tërësi një autor, ndërsa të punosh me veprat e Lasgushit, për të ka qenë përtej frymëzimit një shtysë që vjen nga një angazhim i përjetshëm që kanë marrë përsipër vajzat e poetit, duke ruajtur me fanatizëm e përkushtim të gjitha dokumentet e shkrimet. “Është një organizim që vjen mes dashamirësisë dhe harmonisë me Korçën, me interpretuesit e teatrit, me bibliotekën e me këtë qytet që e ka nderuar vazhdimisht. Këto janë vepra të cilat ashtu të fiksuara mbeten të përjetshme. Veprat e tij janë një pasuri kombëtare e papërsëritshme, ashtu siç janë edhe dokumentet e mbledhura dhe të ruajtura me përkushtim nga vajzat e poetit. Për herë të parë e kemi parë Lasgushin të flasë me gjuhën e tij, një ringjallje, një emocion. I veçantë ka qenë edhe rikthimi i traditës së viteve ‘30 kur me vargjet e Lasgushit kompozoheshin këngë e më pas këndoheshin”, vijon më tej Mehmet Gëzhilli. Ai tregon se në ambientet e bibliotekës janë ekspozuar që nga poezitë e para në vitin 1922, ashtu si dhe gjithë potenciali kulturor i këtij personaliteti, që nga vendlindja, studimet në manastir, Athinë, Rumani e Austri etj. Poradeci vjen si një studiues i Emineskut, poetit të madh rumun nëpërmjet doktoraturës, e cila është botuar kohët e fundit. Nuk e dimë çfarë i mungonte më tepër poetit, toka që e lindi apo qielli që e priste. Ndoshta për ta kuptuar këtë pranoi që të ikte”, thotë poeti Rusi, përmes vargjeve. Gëzhilli ka sjellë në këtë ekspozitë mbi 300 vepra, por thotë se Lasgushi është përjetësuar edhe në veprat e artit. Ka hyrë në pikturë, në fotografi, në skulpturë e më gjerë. Ekspozita kushtuar Lasgush Poradecit do të qëndrojë e hapur përgjatë gjithë javës.

Historia e nje kurthi letrar

Hamendësimet e zhurmshme të viteve ‘80 se Garcia Marquez-i vuante një dashuri të penguar a të pamundur, përherë e njëjta, vazhdonin në formë thashethemnaje të thekshme rretheve të shkrimtarëve dhe artistëve panhispanikë edhe në vitet ‘90 e më pas; flitej për një studente, ja peruane, ja kolumbiane, e cila studionte në Barcelonë për arkitekturë asokohe, në fillimet e hamendësimeve. Gojë pas goje, pëshpëriteshin kursyerazi gjer dhe tiparet e saj: lëkura e mrekullueshme ngjyrë gruri, sytë si bajame të blerta dhe ecja prej sorkadheje, apo luaneshe. Shkrimtari 52-vjeçar, një nga më të mëdhenjtë e botës, nobelisti i 2 viteve më vonë, nuk u pranua nga 22-vjeçarja e asaj kohe, që u kthye në idengulitjen e tij dashurore dhe më pas letrare. Gjer kur më 2004, më shumë se 20 vjet më pas, ai arriti ta bënte të vetën, por vetëm në letërsi. Ia vlejti barra qiranë - paskëtaj, Marquez-i 70 e ca vjeçar gjeti paqen e kërkuar. Nuk është lehtë të shpjegohet odiseja e një ndjenje kaq të fuqishme te një shkrimtar i tillë, dhe ca më vështirë akoma është të shpjegohet ngërthimi i hatashëm e pa kufij realë i jetës së vërtetë me letërsinë, fiksionin dhe rremtësinë, te një shkrimtar. Për ta pasur të lehtë shpjegimin, do të mundohem të paraqes së pari fakte që do ta bëjnë më të kollajtë të kuptuarit e gjithë ç‘ka më sipër:
Thuhet se shkrimtarët jetojnë disa jetë, thuhet se jetojnë e përjetojnë edhe vdekjen në të gjallë të tyre, ka nga ata që arrijnë gjer të shijojnë përtejvdekjen, përjetësinë, ose më mirë, që arrijnë t‘ia ndiejnë aromën në paradhomën e saj; mundësitë e tyre janë shumë më të mëdha se ato të vdekatarëve të tjerë, - nganjëherë fati i tyre i përngjan fatit të perëndive apo të vetë djallit. Sa për dashurinë, thuhet se me të është marrëdhënia më e koklavitur, më e shumëfaqtë dhe më interesante që kanë, ajo është kyçi i fuqisë së tyre, lënda ku ngjyejnë penën, veglëria që u kurdis vrumbujt e zemrës, arsyeja pse marrin frymë, ka raste, thembra e Akilit, ndodh, po ashtu, që është pikërisht ajo që u err sytë, i qorrollis udhëve pa krye, gjersa i vidhis përgjithmonë, njëlloj si vdekatarët e rëndomtë. Porse shumëkush siguron se ata e njohin mirë, se e kanë “zbutur” që në fillim të kohërave, se dinë t‘i vjelin eliksirin, edhe kur ajo prodhon me shumicë hidhësirë, lëndim, e vuajtje, se kanë një arsenal të tërë armësh për ta bërë zap dhe për ta vënë në shërbimin e tyre, se luajnë me të, i ngrehin çarqe, i ngrenë gracka, se përkundrazi, kur dashuria rebelohet, kur nuk i qas, kur i përbuz, kur i zbon si rrjepacakë, kur ikën e arratiset me të katra prej tyre, ata gjakëndizen dhe si gjuetarë të përbetuar i vihen pas, e ndjekin dhe e përndjekin, kudo qoftë, në tokë, në hënë, në diell, në kohë e përtejkohës, në varr e në vdekje, gjersa e arrijnë me çdo kusht, i hedhin lason mbi qafë si një kafshe të egër dhe e kthejnë në grua, letër, germa dhe gjak që ushqen e larton shpirtin e tyre, ndërkohë që torturohen, copëtohen, poshtërohen, gjunjëzohen, vdesin e ngjallen në këmbët e saj… Shembujt janë pa fund.
Më 1819, Stendalit të madh i mbiu në kokë ideja e shkrimit të një monografie mbi dashurinë, një lloj traktati ideologjik që do të shpjegonte thjesht, logjikisht, matematikisht, ndjenjat e ndryshme që vijnë varg njëra pas tjetrës dhe që përbëjnë në të tërën atë që quhet pasioni i dashurisë: Imagjinoni një figurë gjeometrike shumë të koklavitur të vizatuar me shkumës përmbi një pllakë të madhe: Mirë pra, thotë shkrimtari, tani kam për ta shpjeguar këtë figurë gjeometrike, por me një kusht të domosdoshëm, duhet që figura të ekzistojë tashmë përmbi pllakë, unë s‘mund ta shpik atë. Ajo çka kërkonte Stendali si kusht për të ngjizur veprën më të detajuar mbi fazat e lëngimit të shpirtit të quajtur dashuri, e që doli në dritë më 1822, si shqyrtimi më i madh dhe më i saktë filozofik i shkruar ndonjëherë për këtë ndjenjë: De l‘Amour (Nga Dashuria), ishte që lexuesi, të cilit i drejtohej, ta kish parë (ndjerë) dashurinë.
Po si mund të shihet e dallohet pagabueshëm dashuria?
Shpesh ajo krahasohet me atë që në qiell quhet Udha e Qumështit, një pirg vezullues i formuar nga mijëra yje, ku secili prej tyre mund të jetë një mjegullinë. A nuk qorrolliset njeriu i ngratë në mes të mjegullinës? A nuk beson se është jashtë kur është brenda dashurisë dhe se është brenda kur në fakt është fare jashtë saj? Tërë talenti i Stendalit shkëlqeu në veprën që edhe sot nuk njeh të dytë dhe që ai e shkroi, në të vërtetë, si një fatkeq dashurie e me qëllimin e qartë, por të fshehtë, për të prekur dhe lidhur pas tij zemrën e gruas që dashuronte, ndërkohë që ajo e kish refuzuar ngulshëm, “kokës më krenare të Milanos”, Mathilde Viscontini-t, të dashurës së dikurshme të Ugo Foscolo-s, shkrimtarit të madh italian. Nëpërmjet kësaj vepre, ai mëtonte të komunikonte me Mathilde-n, t‘i rrëfente ndjenjën e tij të jashtëzakonshme për të dhe të rrihte t‘i provonte, nëpërmjet përshkrimit të gjithë gjendjeve dhe hamendësive të lëngimit dashuror, por edhe të vetë flakës së tij të shpirtit, se edhe ajo kishte, pa e kuptuar ndoshta, apo syveshur nga krenaria e pamendtë, po të njëjtën ndjenjë; në fund të fundit, shpresonte t‘i ngjallte mëshirë për vuajtjet e tij. Mathilde vdes disa vjet më vonë dhe shkrimtari vazhdon të shkruajë veprën me zemrën plot nga dashuria platonike për të.
Gjithsesi, dinakëria e Dante Alighieri-t e kalon ku e ku mendjen e mprehtë të Stendalit, ai është Mjeshtri: i dashuruar marrëzisht me Beatriçen, i refuzuar përherë prej saj, kur e humbet përgjithmonë dhe pa shpresë, pse ajo vdes, Aligheri ndërton veprën më të madhe letrare të të gjitha kohërave, Komedinë Hyjnore, me qëllimin e vetëm që ta takojë gruan e zemrës së tij; shkrimtari luan me të gjithë fiksionin, prosedetë simbolike, vizionet e ëndrrës dhe, duke ndërtuar poemën e madhe, arrin të ndërkallë edhe takimin me të në Parajsën tokësore - i ngre kurth Beatriçes, e detyron të takohet me të. Vargjet më patetike që letërsia ka arritur ndonjëherë, për hir të lëndës tragjike që ngërthejnë, janë ato që përshkruajnë “kthimin e Beatriçes në burimin e përjetshëm të dritës” dhe “buzëqeshja e fundit e Beatriçes” mund të interpretohet si një shpresë e vagullt për Aligheri-n, - ndoshta ajo e ka pranuar më në fund dashurinë e tij.
Për Marquez-in qe mbase më e lehtë të vepronte si paraardhësit e tij të shquar; ka shpirtin, mendësinë, praktikën dhe prosedetë e tyre, porse ai shkon shumë më larg: në tregimin “Avioni i bukuroshes së fjetur” shkruar më 1982, vit kur mori edhe çmimin “Nobel”, përshkruan për herë të parë, me zemër në dorë dhe me rrëfim në vetë të parë (kjo është e rëndësishme), duke e nxjerrë jashtë të fshehtën, studenten e dashurisë së tij: Ishte e bukur, elastike, me një lëkurë taze ngjyrë buke dhe sy si bajame të blerta, me flokë të lëmuar e të zinj, të gjatë deri te supet, dhe një brerore lashtësie që mund të ishte hem e Indonezisë dhe hem e Andeve… “Kjo është gruaja më e bukur që kam parë në jetën time”, mendova kur e pashë të kalonte me hapa të mëdhenj e të matur luaneshe, ndërsa unë mbaja radhën për të hipur në avionin e New York-ut, në aeroportin Charles de Gaulle të Parisit. Qe një fanitje e mbinatyrshme që flatroi vetëm një çast dhe u zhduk në turmën e korridorit… E gjen (vendos ta gjejë) sërish “fanitjen e mrekullueshme” të çasteve më parë, atëherë kur nuk e priste, kur mendonte se e kish humbur, fare pranë tij, në ndenjësen ngjitur në avion, -i ka ngritur, letrarisht, një lloj kurthi parak, tashmë bukuroshja nuk ka nga lëviz, ai mund ta sodisë rehat, për orë të tëra dhe gjer të shijojë ndenjen me të pranë e pranë si në një “shtrat bashkëshortor”.
Porse ajo nuk jepet kollaj, ajo vazhdon të jetë mospranuese edhe brenda këtij kurthi letrar, me një zbutje fare të vogël, një lloj lëshimi që më tepër ngjan si një kapriço (apo dredhi) femërore, e stisur për ta joshur më dhembshëm: vajza ia fut gjumit të tetë orët e udhëtimit (pa një pauzë, pa një psherëtimë, pa ndërruar asnjë sekondë krahun…), por e lejon ama shkrimtarin ta sodisë: Atëherë nisa ta kundroja atë me orë të tëra pëllëmbë për pëllëmbë, dhe e vetmja shenjë jete që munda të dalloja, ishin hijet e ëndrrave që kalonin mbi ballin e saj si retë nëpër ujë…Klima e firomës së saj ishte po ajo e zërit dhe lëkura i lëshonte një fije hukamë, që s‘mund të qe veç aroma e vetë bukurisë së saj… Më ngjante e pabesueshme: pranverën e kaluar kisha lexuar një roman të bukur të Yasunari Kawabata-s për pleqtë e pasur të Kyoto-s, të cilët paguanin shuma të mëdha për ta kaluar natën duke soditur vajzat më të bukura të qytetit, të zhveshura e të përgjumura me anë narkotikësh, ndërsa ata vetë jepnin shpirt nga dashuria në një shtrat me to. Nuk u lejohej t‘i zgjonin, apo t‘i preknin dhe ata as që tentonin, sepse esenca e atij qejfi të stërholluar ishte t‘i sodisje të fjetura. Atë natë, duke përgjuar gjumin e bukuroshes, jo vetëm e kuptova atë delikatesë pleqërie, por edhe e jetova tërësisht. - E kush mund ta besonte, thashë me sedër të lënduar nga shampanja. - Të katandisesha unë si një plak japonez! Dhe paskëtaj, vajza sërish zhduket për të, i rrëshqet nga duart, e paepur ndaj dashurisë së tij. Duket se ai e ka humbur përgjithmonë, duket sikur shkrimtari është dorëzuar, por përkohësisht; fraza e fundit, përmbyllëse e tregimit e rrëfen këtë: …dhe u zhduk gjer diellin e sotëm (këtu është shpresa se edhe mund të rishfaqet!) në amazonën e New York-ut. Tre vjet më vonë, më 1985, Garcia Marquez-i boton “Dashuria në kohërat e kolerës”; për lexuesin e vëmendshëm dhe sidomos për miqtë që ia njohin brengën, romani pesëqind faqësh është romani i dashurisë së penguar a të pamundur par excellence. Shkrimtari i madh, përveçse i përjeton shijen, nëpërmjet përtypjes së petaleve të gardenieve dhe pirjes së kolonjës litroshe, i shpik edhe aromën: për herë të parë në jetën njerëzore, dashuria e penguar ka një aromë, aromën e bajameve të hidhura. Dashuria e pamundur e Garcia Marquez-it ka aromë bajamesh të hidhura. Ishte e pashmangshme: aroma e bajameve të hidhura i kujtonte përherë fatin e dashurive të penguara… Gruaja që dashurohet është po ajo, me sytë si bajame të blerta dhe (kësaj here) me të ecurën prej sorkadheje. Sidoqoftë, ky është edhe romani i shpresës, - burri i dashuruar jeton për dashurinë e tij të pavdekshme dhe nuk dorëzohet.
Porse kurthin e vërtetë dhe shëronjës për të, si një lloj yshtjeje kundër mosdashurisë, shkrimtari gjenial ia ngriti të dashurës së tij refuzuese vetëm pas më shumë se 20 vjetësh, më 2004, atëherë kur, me sa duket, kish humbur çdo shpresë se do ta kishte në jetën reale, kur pat shprehur me klithma anembanë globit dashurinë e tij për të dhe nuk pat marrë përgjigje, duke luajtur me të gjitha format e metamorfozave mitologjike, me tërë simbolet që ka njohur letërsia që nga koha e Homerit, si njeri, si gjysmëperëndi a demiurg, ai kthehet në një plak nëntëdhjetëvjeçar, që nuk e ka njohur kurrë dashurinë, por vetëm aventurat e panumërta të seksit dhe rindërton fillin e lakut të tij duke e marrë atje ku e pat lënë: te soditja e gjumit të bukuroshes së fjetur në avionin e linjës Paris-New York. Kësaj radhe ama, ai është tamam si një plak japonez i Kyoto-s dhe ka vendosur ta shijojë gjer në fund krijesën e zgjedhur (të krijuar prej tij sipas shëmbëlltyrës së asaj që dashuron ende dhe të kthyer në një vajzuke, që të mund ta drejtojë më lehtë): adoleshenten e virgjër katërmbëdhjetë vjeçare, të lakuriqtë e të fjetur, në shtrat me të, në bordellon e fshatit piktoresk të romanit të tij të fundit, “Kujtim kurvash të trishta”, ditën e nëntëdhjetëvjetorit të tij. Nuk e ka të lehtë domosdo (rrëfimi është sërish në vetë të parë), laku është ngritur mirë, ajo është përherë bri tij, kur ai e kërkon, por në gjumë dhe pa ndërgjegje: ai e lë të paprekur dhe natë pas nate rreh ta zbusë, t‘i fitojë besimin, duke i lexuar përralla, duke i blerë dhurata, çokollata… Më në fund ndodh mrekullia, adoleshentja e virgjër (vajza që ai dashuron prej më shumë se 20 vjetësh) e bordellos së fshatit piktoresk, bie në dashuri me të: Ishte më në fund jeta e vërtetë, e kisha shpëtuar zemrën dhe isha dënuar të vdisja nga dashuria e vërtetë, në agoninë e lumtur të çfarëdolloj dite, pas njëqind vjetëve të mi
 

 

 

Saimir Pirgu, rrugetimi i tenorit shqiptar

historia e tij ngjan nga ato të stisurat prej shkrimtarëve me fantazi të shfrenuar. Në këtë mes ai është personazhi. Djaloshi që prek një ëndërr. E vërteta e tij nis diku në lagjet e Elbasanit, kur ende 6-vjeçar, Saimir Pirgu, sot një tenor që ngjit skenat e botës, i lidh ditët me violinën. Me mundësitë modeste të familjes normale, prindërit vendosin t‘u japin gjithnjë shtysë dëshirave të tij. Nga violina në këngë, skenat e festivaleve për fëmijë janë të parat ngjitje të djaloshit që nuk dinte se ku do mbërrinte. Veç kërkonte. Lëvizja e parë ishte nga Elbasani në Tiranë, nga liceu artistik “Onufri” në atë “Jordan Misja”, qoftë edhe me koston e një jetese në konvikt. “Im atë mendonte ndryshe. Ai është jetim. Më tha se nuk dëshironte që edhe unë, djali i tij, të rritesha vetëm, duke jetuar në struktura publike, një përvojë të cilën ai e kishte kaluar vetë. Kështu, për të mbështetur aspiratat e mia, prindërit shitën apartamentin tonë në Elbasan dhe të gjithë familjarisht u transferuam në Tiranë. Jetuam në një shtëpi me qira në periferi, në zonën e Qytetit të Nxënësve”, kujton ai. Nuk mund të ndahet nga e shkuara. Ditët që jeton sot nuk ngjajnë aspak me të dikurshmet, por i përkasin atij. Sakrificat po ashtu. Pas diplomimit në vitin 2000, Instituti Italian i Kulturës, shpërndan formularë që orientonin studentët për shkolla të mundshme jashtë shtetit. Mes Romës, Milanos, Torinos, Pirgu zgjedh Bolzanon. Kërkoi të bëjë një hap më të vogël, por të sigurt. Koha tregoi se zgjedhja ishte e duhur. Atëkohë, që ai e kujton me moton “të ikim nga Shqipëria”, më shumë sesa përsosja si muzikant, kishte më shumë rëndësi largimi. Edhe nëse nuk do ta kishte fituar atë konkurs, sërish kishte parashikuar të mos kthehej. Ditët si student nuk ishin nga më të mirat. Pirgu, një i ri shqiptar, ndonëse dallonte mes studentëve të tjerë, provoi të bënte edhe pjatalarësin, të pranonte të këndonte në koncerte modeste sa për të fituar diçka. Këtë rrugëtim mund ta kenë përshkruar edhe shumë të tjerë, atëkohë edhe sot. Por pas një suksesi kërkohet gjithnjë të gjendet diçka. Në këtë mes e shkuara është ajo që ndriçohet e para. Tenorit shqiptar i është dashur të flasë shpesh për të. Është një pyetje që nuk mungon në intervista që marrin shkas nga suksese të radhës. Viti 2002 nis ta shpërblejë për këmbënguljen. Fiton dy çmime të rëndësishme, “Enrico Caruson” në Milano dhe “Tito Schippan” në Leçe ndërsa vetëm një vit më vonë vjen bashkëpunimi me mjeshtrin Claudio Abbadon, për operën “Così fan tutte”. Audicione, ftesa, bashkëpunime, do ta çonin në të ardhmen në skena operash të njohura, në krah të emrave më të mëdhenj të operistikës. Edhe vetë pranon se fati i solli një karrierë të pasur, në një moshë ende të re. Sot është 28 vjeç. Është rikthyer rrallë në Operën e Tiranës. Jo vetëm sepse kalendari i tij artistik shënon shfaqje deri në vitin 2011, por edhe për mënyrën se si punohet në Shqipëri. Këto ditë ka veshur petkat e Alfredos të Verdit. Me një Violetë të sjellë nga sopranoja franceze, Natalie Dessay, gjatë gushtit do të interpretojë edhe gjashtë shfaqje të tjera në skenën e operës “Santa Fe” në Amerikë. Pirgu mendon se Alfredo është një nga ato role që i shkojnë për shtat karakterit të tij. Ashtu si edhe Duka i Mantovës në operën “Rigoletto”. Të paktën për momentin. Në të ardhmen në role si Romeo beson se do të gjejë vetveten. Në përpjekje për të pozicionuar veten si zë lirik, në jetën profesionale të Pirgut do të hynin edhe emra të njohur për publikun e gjerë. Një prej tyre, Pavaroti, me të cilin përveç profesionit e lidhi edhe miqësia. Ishte një njohje e rastësishme, por që për të do të kthehej në një përvojë të veçantë. Për vlerësimin që tenori shprehte për të riun, por edhe për vlerësimet e vazhdueshme të kritikës, shumë shpesh gazetat e quajtën Pavaroti i ri. Por për të është shumë i vështirë krahasimi me tre tenorët apo me tenorët e shekullit të shkuar. “Artistë shumë të mëdhenj për t‘u zëvendësuar nga ne të rinjtë”, shprehet ai dhe kujton se ata mbajnë shumë vite karrierë. Ndërsa e quan një nisje të mirë gjithë këtë që ka arritur vetë. Interpretimi me Placido Domingon do ta bënte edhe njëherë protagonist të botës muzikore, kurse viti i shkuar i ofroi një tjetër bashkëpunim me një nga emrat e njohur të Hollivudit. Saimir Pirgu qe pjesë e operës “Gianni Sciçhi”, me regji të Woddy Allen, i cili provonte për herë të parë në gjininë e operës. Tenori shqiptar e përshkruan si një përvojë të veçantë, sidomos për vlerësimin që Allen u bënte si artistë. Gjithsesi, kjo nuk e josh të provojë diçka tjetër, diçka që mund të ketë të bëjë me kinematografinë. Deri më tani pjesë e repertorit të tij janë personazhe të operave të njohura si Ferrando te “Cosi fan tutte”, Don Ottavio te “Don Giovanni”, Nemorimo te “L‘elisir d‘amoure”, Fenton te ‘Falstaff”, Edgardo te “Lucia di Lammermoor”, Romeo te “Romeo e Juliette” etj. Lista pret të shtohet në të ardhmen. Skena e bashkëpunime të tjera do të shënohen në jetën e tij artistike. Nisur nga vetja, ka një këshillë për ata të rinj që duan dhe ëndërrojnë t‘i bëjnë të vërteta sukseset: Të mos hiqnin kurrë dorë. Secili ka fatin e tij dhe vendin e vet në botë. E rëndësishme është të japësh maksimumin dhe të arrish maksimumin e asaj që të lejojnë aftësitë e tua”.

Zbulohet nje vendbanim prehistorik ne Korce

Zbulohet në Korçë vendbanimi më i madh i periudhës së Neolitit në Ballkan. Ai zë një sipërfaqe prej rreth nëntë hektarësh dhe shtrihet në Liqenas. Sipas arkeologëve, këto enë e vegla pune janë përdorur shtatë mijë vjet para Krishtit. Një ekspeditë arkeologjike e përbashkët shqiptaro-franceze, e përqendruar në zonën e komunës së Liqenasit, arrin në zbulime të rëndësishme prehistorike. Një vendbanim prehistorik është gjetur pranë fshatit Kallamas të komunës së minoritetit maqedonas të Liqenasit, dhe sipas arkeologëve që kryejnë punimet në të, zbulimi i kësaj ekspedite konsiderohet si më i madhi i zbuluar deri tani, jo vetëm në zonën Juglindore të vendit, por edhe më gjerë. Vendbanimi prehistorik i gjetur në afërsi të fshatit Kallamas ka një shtrirje të madhe prej 9 hektarësh. Prof. Petrika Lera, arkeolog, pjesëtar i kësaj ekspedite nga pala shqiptare, thotë se janë zbuluar materiale të shumta nga gërmimet në sipërfaqe në territorin ku ka pasur shtrirje vendbanimi prehistorik i periudhës së Neolitit. Ai shtoi se materialet e gjetura nga gërmime,t si vegla pune dhe enë, mbetje kockore, etj, dëshmojnë se në këtë zonë ka pasur një intensitet të lartë jetese të banorëve të atëhershëm. Sipas specialistëve që po kryejnë punime në këtë vendbanim prehistorik prej 3 vitesh radhazi, zbulimi më i fundit buzë liqenit të Prespës së Madhe në fshatin Kallamas, daton që në mijëvjeçarin e 7-të para Krishtit. Ai është mjaft i pasur me objekte të rëndësishme për kulturën dhe historinë e njerëzimit në prehistori. Ndonëse kërkimet e arkeologëve janë orientuar nga ekspedita e mëparshme për gjetjen e vlerave në të, zbulimi i tanishëm ka dalë në dritë thuajse rastësisht. Kjo edhe për faktin se gjatë 30 viteve të fundit, Liqeni i Prespës së madhe ka rënie të nivelit të ujërave të tij dhe nga kjo ka dalë vend banimi prehistorik i mbuluar më parë prej ujit. “Ky është një vendbanim prehistorik mjaft interesant që shtrihet buzë Liqenit të Prespës së Madhe. Objekti i punës sonë është që të përcaktohet hapësira e shtrirjes së vendbanimit dhe sekuencat e stratigrafisë kur ka filluar e mbaruar jeta në të”, - sqaron arkeologu Petrika Lera. Ai shton se në bashkëpunim me arkeologët francezë, po kryhet një sondazh në pjesën më të lartë të vendbanimit prehistorik të Neolitit të mesëm për të studiuar ecurinë e jetesës. Drejtuesi i ekspeditës nga pala franceze, Gilles Touche, thotë se ky është një nga vendbanimet me interes më të lartë arkeologjik në zonën e Korçës i zbuluar gjatë kërkimeve të viteve të fundit. “Interesi për këtë zbulim është i madh dhe do të kryhen studime të detajuara për këtë vendbanim të madh dhe të rëndësishëm. Materialet e zbuluara janë tepër interesante dhe po grumbullohen për t’iu nënshtruar një studimi më të gjerë për intensitetin e jetesës në mijëvjeçarët në fjalë në periudhën e neolitit”, - shprehet arkeologu francez. Ky zbulim do të bëhet pjesë e një studimi të detajuar mbi jetesën e popullsisë, raportin me liqenin dhe intensitetin e jetesës, ritualet dhe mjetet e punës, e kështu me radhë deri në arsyet se si ka nisur dhe mbaruar jetesa në këtë vendbanim. Vendbanimi prehistorik i zbuluar së fundi në zonën e Liqenasit pasuron edhe më shumë hartën arkeologjike të rajonit të Korçës, ku sipas arkeologut Lera, është arritur në zbulimin e afro 100 pikave, tumave dhe vendbanimeve të rëndësishme arkeologjike. Nga numri i madh i mjeteve të zbuluara, mendohet se zona ka qenë shumë e populluar në periudhën e Neolitit të mesëm dhe të vonë. Vëmendja e ekspeditës shqiptaro-franceze tashmë është përqendruar në zbulimin e shkaqeve se pse ka përfunduar jeta në këtë vendbanim, pas periudhës së Neolitit të vonë. Rajoni juglindor numëron rreth 80 vendbanime të hershme

Hi Tech

Identifikimi zanor

 Ashtu si shumë teknologji të tjera, edhe ajo për identifikimin zanor, është përmirësuar me kalimin e viteve dhe duke u bërë tani e përdorshme në shumë drejtime. Softwer-i për identifikimin zanor i instaluar në një PC, lap top apo sitem SatNav, po shkon drejt perfeksionimit. Sistemet ruajnw në...

Avioni i parë me energji diellore, ose aventura më e madhe e shekullit të XXI

  Për të fluturuar, avionët shpenzojnë shumë karburant. Kohët e fundit dy zviceranë prezantuan në Zyrih prototipin e një avioni që fluturon me energji diellore. Për Bertrand Piccard kjo është aventura më e madhe e shekullit të 21-të, - avioni i parë me energji diellore, i cili mund të...

Publikoni video materiale në YouTube dhe përfitoni para

Në fund të vitit 2007 shërbimi YouTube ka nisur programin e partneritet YouTube (YouTube Partnership Program), një bashkëpunim i cili përdoruesve të popullarizuar të këtij shërbimi u mundëson të përfitojnë para me video materialet e tyre. Tani në taborin e këtij gjiganti të internetit kanë vendosur...

Telefoni i ri Samsung vjen në firmën e Armanit

Shtëpia e modës së Giorgio Armanit ka prezantuar një celular prej 700 eurosh, një aparat elegant i menduar për t'u kombinuar me krijimet e stilistit. Armani, i njohur për linjën e tij të veshjeve, ka bërë një shfaqje të shpejtë për lancimin e telefonit smart, që përdor një "software" për celularë...

Televizori 3d

      Që nga koha e filmit "Destinacioni Tokë" kanë kaluar gati 50 vjet, në të cilët teknologjia ka revolucionarizuar jetën e të gjithëve. Megjithëse 50 vjet më parë, filmi ishte 3 D dhe shihej në kinema me një palë syze speciale. Madje filmat e parë në 3D janë...

Zyrtarizohet marveshja midis yahoo dhe microsoft

Katër muaj pas marrëveshjes paraprake, "Yahoo" e "Microsoft" më në fund kanë arritur zyrtarisht të bien dakord rreth integrimit të makinës së kërkimit të Microsoft në faqet e kompanisë Yahoo. Drejtoresha ekzekutive e kompanisë "Yahoo", Carol Bartz dhe drejtor i "Microsofts", Steve Ballmer,...

"IPODI" ME I SHTRENJTE NE BOTE QE KUSHTONE 233 MIJE DOLLARE

Pajisja zyrtare më e shtrenjtë në botë "iPod Touch" kushton 233.000 dollarë, në një kohë kur ajo është e dekoruar me 170 gramë ari dhe një larmi diamantesh. Pasi javën e kaluar e ka paraqitur pajisjen "iPhone 3GS" të dekoruar me diamante dhe me nje çmim prej më shume se tre milionë dollarësh, kësaj...