Berisha: Shqiptaret ta deklarojne hapur etnine e tyre

20/12/2009 15:05

 Regjistrimi i popullsisë duhet t‘i sigurojë çdo qytetari të drejtën e shprehjes lirisht të origjinës së tij etnike. Ky ishte qëndrimi që mbajti Kryeministri Berisha në një konferencë për shtyp pasditen e djeshme për çështjen e regjistrimit të popullsisë shqiptare edhe mbi baza etnike. “Ky nuk është një komb dhe një popull që ka pasur apo ka komplekse me identitetin, pasi ka treguar se i nderon shumë qytetarët me origjinë greke, qytetarët me origjinë boshnjake, me origjinë maqedonase, serbe apo malazeze, arumunët, romët apo egjiptianët, që të deklarojnë haptazi origjinën e tyre”, deklaroi Kryeministri në konferencë. Por, sipas tij, do të kihet një kujdes i veçantë për të mos lejuar spekulimet përgjatë procesit të deklarimit të etnisë. “Natyrisht ligjvënësi do të marrë modelet më të mira që të përjashtojnë spekulimin dhe të lejojnë qytetarët të shprehin lirisht origjinën e tyre etnike”, vuri në dukje Berisha për këtë çështje që has edhe diskutime të shumta. Në konferencën e djeshme për shtyp Berisha theksoi përshtypjet më të mira që kishte marrë nga konferenca ndërkombëtare e klimës e mbajtur në Kopenhagen. Sipas Berishës, qeveria shqiptare ishte e vendosur për të mbajtur premtimin e saj për ta kthyer në një superfuqi rajonale të energjisë së gjelbër vendin tonë. Por, Kryeministri theksoi se ai ishte i vendosur gjithashtu të merrte masa për të siguruar energji elektrike nga të gjitha burimet, edhe nga termocentralet me qymyr. Sipas tij, nuk mundet që vendi dhe qytetarët të vuanin nga mungesa e energjisë elektrike. Po dje, Kryeministri foli edhe për mospjesëmarrjen e opozitës në Kuvend. “Është e trishtueshme që opozita në vend të vazhdojë të bojkotojë”, theksoi Berisha. Por, sipas tij, në asnjë mënyrë nuk mund të pranohej kërkesa që vinte nga PS-ja për hapjen e kutive të votimit. “Palët mund të meritojnë një mandat, por në këtë rast ne krijojmë një precedent tepër të rrezikshëm për demokracinë në vend”, sqaroi Kryeministri. Ai po kështu u shpreh se ishte i gatshëm që të negocionte në çdo kohë me opozitën e vendit. “Çdokush është i lirë të bëjë padi penale ndaj kujtdo, edhe ndaj Kryeministrit”, ishte përgjigjja që dha Kryeministri Berisha në lidhje me paditë penale, që së fundmi janë dorëzuar ndaj tij, nga ana e Edi Ramës apo edhe e të nënës së Ramës. Po kështu Berisha theksoi se ndërtuesit dhe asnjë shtresë tjetër në vend nuk ishin në krizë ekonomike. Sipas Berishës, kriza kishte shkaktuar vështirësi për sektorët, por askush nuk kishte të drejtën të pretendonte për një ekonomi shqiptare në krizë.