Dhimbja e kokes sherohet “online”

10/01/2010 02:50

 Vazhdon të rritet numri i personave që vuajnë nga dhimbja e kokës. Orë të tëra me duar të mbështetura mbi tavolinë, me fytyrën dhe qafën të kontraktuara, ndoshta duke kërcitur edhe dhëmbët pa e kuptuar. Ky është shembulli konkret i nisjes së dhimbjes së kokës. “Unë dëshiroj të flas shumë për dhimbjet e kokës, sepse është një numër i madh pacientësh që, përveç dhimbjes klasike të kokës, vuajnë nga lloje të tjera dhimbjesh (në nofulla dhe qafë)”, thotë një doktor nga Departamenti i Fiziopatologjisë Klinike të Universitetit të Studimeve të Torinos.

“Bëhet fjalë për ata persona të cilët shpesh vrapojnë nga një specialist te tjetri, në kërkim të një diagnoze të saktë dhe një terapie të dobishme”. Në fakt, terapia mund të jetë më e lehtë nga çfarë pandehet zakonisht. E keqja është se dhimbjet nuk eliminohen krejtësisht, por të paktën kjo terapi ndihmon në lehtësimin e tyre. Ajo bazohet te një sërë ushtrimesh, që zgjasin disa minuta, të cilat nevojiten për të liruar pikërisht ata muskujt nga ku mund të lindin dhimbjet. Muskujt mund të relaksohen me “mandibulën e vdekur” (nofulla e poshtme), pra të hapur, siç na zë gjumi në tren, ose duke lëvizur kokën para-mbrapa.
Studimet

Përveç të qeshurave që mund të shkaktojnë te dikush që po na sheh, ushtrimet e “dhimbjes së kokës” janë testuar dhe vërtetuar nga dy studime mjaft të rëndësishme. I pari, i publikuar vitin e kaluar në revistën “Cephalalgia”, filloi në vitin 2005. “Kemi ndjekur për 14 muaj, 400 punonjës të qytetit të Torinos”, thotë doktori, i cili ka qenë edhe koordinator i studimit. “Bëhej fjalë për një studim të gjatë (nga momenti që filluam të vëzhgonim pjesëmarrësit) dhe të kontrolluar, sepse kaq shumë persona nuk i ishin nënshtruar asnjëherë më parë një studimi. Pas gjashtë muajsh vumë re se ata që i ndiqnin me përpikëri ushtrimet, kishin rreth 40 për qind më pak dhimbje koke. Gjithsesi ky studim kishte një të metë metodologjike: në fakt pjesëmarrësit nuk u caktuan rastësisht në njërin ose tjetrin grup”, shton doktori. Kështu grupi torinez i dha jetë një tjetër studimi: “Këtë herë u përzgjodhën 2000 punonjës dhe rezultatet, të cilat do të publikohen pas pak kohësh, përputhen shumë me studimin e mëparshëm”.
Kura është “online”

Në thelb, programi funksionon. Për këtë arsye, që prej qershorit të vitit të kaluar, një faqe interneti ndihmon për të përhapur këtë praktikë të dobishme, duke vënë në dispozicion një video me udhëzime dhe një skedë me ushtrimet që duhet të kryen. Për momentin, vetëm një numër i vogël personash mund t’i shijojnë këto video, megjithatë specialistët e kësaj faqeje interneti shpresojnë që së shpejti ta zgjerojnë audiencën e përdoruesve. Ndërkohë që sapo është hapur, këtë faqe e kanë vizituar 4 mijë persona. Suksesi i kësaj iniciative duket i garantuar: “Dhimbjet e kokës dhe qafës janë një nga problemet shëndetësore më të përhapura të popujve të të gjithë botës”, pohon doktori. “Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 40 për qind e popullsisë së botës vuan nga kjo anomali.

Kjo përqindje është rritur edhe më shumë kohët e fundit, duke i shtuar edhe dhimbjet e qafës e të shpinës, aq sa në Europë të dhënat tregojnë se përqindja e personave me moshë madhore, që vuajnë nga një formë e dhimbjes së kokës, është rreth 80 për qind”.

Nëse nga njëra anë është kërkesa e kurave për të larguar dhimbjen e kokës, për shkak të numrit të personave të interesuar, nga ana tjetër janë karakteristikat e reja që e bëjnë kaq të suksesshme metodën e re. “Sekreti i saj është thjeshtësia. Kushdo mund ta bëjë një zakon të përditshëm. Veç të tjerash, është një terapi që mund të përcaktohet si një mënyrë sjelljeje. Duke e bërë të vetëdijshëm një person për faktin se nuk po vepron në mënyrë e duhur, ka efekt, dhe kështu në mënyrë krejt të pavetëdijshme ai përpiqet ta korrigjojë këtë gjë”, shpjegon eksperti. Për t’u kuptuar, mjafton të kujtoni disa pika strategjike, si monitorin e kompjuterit, ose telefonin.