Emigrimi, me shume mireqenie, me pak vite shkollim

21/12/2009 15:48

 Shqiptarët kanë shijuar frutet e punës jashtë vendit gjatë 20 viteve të fundit, por dukshëm emigrimi ka sjellë edhe përkeqësim të arsimimit të shqiptarëve, vëren një studim i detajuar i Bankës Botërore. Të dhënat mbi përbërjen demografike dhe atë të aftësive të emigrantëve të kthyer nuk japin ndonjë shenjë përfitimi njohurish. Emigrantët që kthehen janë gjithnjë e më pak të arsimuar dhe emigrantët që nisen rishtas kanë gjithashtu më pak vite shkollë”, thotë raporti.

Sipas ekspertëve të BB, emigrantët e kthyer kanë parapëlqyer në shumë raste të hapin biznese në atdhe, por llojet e bizneseve të zgjedhura prej tyre janë të llojeve të produktivitetit të ulët, ndërsa një pjesë shumë e madhe e emigrantëve të kthyer kanë tendencën të vendosen në Tiranë, jo në zonat nga kanë nisur emigrimin. Në këtë mënyrë, një pjesë e madhe e vendit po varfërohet nga emigrimi, për shkak se po u largohen njerëzit më të aftë dhe krahët e punës. Një pjesë e madhe e emigrantëve të kthyer përdorin kursimet e emigrimit për të ndërtuar biznese të vogla familjare. Por të dhënat vënë në dukje faktin se janë emigrantët që kanë punuar në vende të tjera përveç Greqisë ata që kanë qenë më të suksesshmit në ndërtimin e bizneseve të vogla familjare. Studimi thekson gjithashtu se në shumë raste këto biznese janë shumë të vogla, kanë norma shumë të ulëta fitimi dhe kryhen në ambiente joformale familjare në sektorin e shërbimit, gjë që tregon për aftësi shumë të ulëta sipërmarrëse të fituara në emigrim.

“Edhe më shqetësuese është tendenca e vërejtur te mirëqenia. Gjatë viteve të fundit, emigrantët e kthyer gjejnë shtëpi më të varfra në krahasim me emigrantët e viteve të shkuara. Këto të dhëna tregojnë se emigrantët janë gjithnjë e më të moshuar dhe më pak të arsimuar se më parë”, thotë raporti.

Megjithatë, studimi bën të ditur se pavarësisht problemeve të akumuluara nga vuajtjet e emigrimit, emigrantët e kthyer janë më të zhdërvjellët se sa pjesa tjetër e popullatës në tregun e punës. Ata janë aktivë në shoqëri dhe janë më të aftë të shfrytëzojnë mundësitë e ofruara nga tregu i punës.

Emigrimi ka sjellë edhe një faktor veçanërisht pozitiv për shoqërinë shqiptare, pasi është përdorur si një rrugë e shkurtër drejt urbanizimit të vendit. Sipas raportit, rreth gjysma e emigrantëve shqiptarë jashtë kanë punuar në bujqësi para se të emigronin, por kur kthehen, vetëm një e treta e tyre shkojnë në fshat. Mes emigrantëve të përhershëm, vetëm një e pesta e tyre zgjedhin të punojnë në bujqësi, megjithëse më shumë se gjysma kishte origjinë rurale kur u largua.

Shqipëria kishte normën më të ulët të urbanizimit në Europën Lindore në vitet ‘90, kur mbi 63 për qind e popullatës jetonte në fshat. Në vitin 2001, rreth 54 për qind e popullatës qe rurale, një ndryshim ky i konsideruar shumë dramatik për një periudhë kaq të shkurtër.