Kete vit, universitetet ne “site” per cilesine

20/12/2009 14:34

 Sot, plot 130 mijë studentë në arsimin publik e privat do të nisin leksionet në auditorët e universiteteve shqiptare.

Mes urimesh për suksese dhe shumë mbarësi, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, në një konferencë për shtyp ka sqaruar dje të gjitha risitë që pritet të zhvillohen këtë vit si pjesë e reformës arsimore. Lajmi i parë vjen për kalimin e universiteteve në sitë, për sa i takon vendosjes së kritereve dhe përmbushjes së kushteve nga kompania e huaj, që për pak kohë vjen për të nisur punën. Ndërkohë pritet që në vitin e ardhshëm të kemi një rritje të buxhetit të arsimit.
Vetëm në universitetet publike ulen në auditorë mbi 30 mijë studentë, që do të vijojnë studimet me kohë të plotë e të pjesshme në të gjitha ciklet e studimeve. Së bashku me studentët e viteve më të larta, numri total i studentëve, në të gjithë sistemin e arsimit të lartë, pra përfshi edhe atë privat, parashikohet të afrohet me shifrën 120 mijë studentë, që do të thotë se ekzistojnë të gjitha premisat që në vitin akademik 2013-2014 Shqipëria të ketë 150000 studentë.
Për sa u përket investimeve në sektorin e arsimit, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, tha se “objektivi politik i programit të qeverisë ‘Berisha‘ për të rritur investimet, me synimin arritjen e 7% të PBB-së, nga e cila 6% vetëm nga burimet publike, është objektivi i një standardi të lartë, të vendeve më të zhvilluara të botës. Vetëm në këtë vit akademik, universitetet publike do të përfitojnë rreth 25 laboratorë të rinj mësimorë-shkencorë, që mundësojnë rritjen e nivelit teorik dhe praktik të studimeve universitare të të gjitha niveleve”.
Sipas tij, reforma më e thellë në arsimin e lartë në këtë mandat, do të jetë reforma e sistemit të financimit të arsimit të lartë, me synim zhvillimin e një modeli të partneritetit publik dhe privat, i cili bën të mundur rritjen e autonomisë së universiteteve publike.
“Ndërsa në mandatin tonë të parë, liberalizimi i universiteteve ishte prioriteti kryesor në fushën e arsimit të lartë, në mandatin e dytë, kryefjala e programit tonë në arsimin e lartë është cilësia e studimeve, cilësia e diplomave”, nënvizoi ministri. Ai theksoi se së shpejti një kompani e huaj fillon punën për të përcaktuar standardet mbi bazën e të cilave do të bëhet klasifikimi i universiteteve dhe i diplomave shqiptare për nga cilësia e tyre. Deri në fillim të vitit tjetër akademik, Ministria e Arsimit do të ketë të përfunduar klasifikimin e universiteteve shqiptare, publike e private, për nga cilësia, pra niveli i tyre.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, uron të gjithë studentët, profesoratin dhe drejtuesit e universiteteve, një fillim të mbarë të vitit të ri akademik 2009-2010, i cili starton nesër më 12 tetor 2009. “Sot fillon viti i ri akademik 2009-2010 në të gjitha universitetet tona publike dhe private. Me këtë rast dëshiroj t‘u uroj të gjithë studentëve dhe pedagogëve të universiteteve tona gëzuar dhe suksese në vitin e ri akademik 2009-2010!”, ka përshëndetur Tafaj.