Kledi Kadiu - Më pëlqejnë femrat sportive

12/11/2003 00:05


Së fundmi në Sh
    qipëri u përfol për
    librin e tij
    biografik “Më
    mirë se një përrallë”. Historia e një djali të ri shqiptar që kërkonte të realizonte ëndrrat jashtë kufijve. Ndjen ende emocionet e para të mendimeve rreth librit, por veten nuk e fut te shkrimtarët. Balerini i njohur shqiptar në Itali, Kledi Kadiu, shprehet se të shkruarit e përrallës së tij, ishte vetëm një eksperiencë e bukur dhe kaq, ashtu si edhe pjesëmarrja e tij në kinematografi apo në modelin. Nuk di nëse në të ardhmen do t’i duhet të ulet sërish të rrëfejë një tjetër histori. Për të parësore është baleti, arti në të cilin ka investuar gjithë jetën. Në një rrëfim të shkurtër Kadiu rrëfen dhe pak gjëra për veten,  ku tregon se aktualisht është singëll. Por femrat që e tërheqin më tepër janë ato sportive, ndoshta për hir të profesionit që ka. Në rrëfimin e tij na tregon dhe pak për familjen a si e mendon gruan e jetës.
Libri “Jeta ime, më e mirë se një përrallë” ka ardhur më në fund në tregun shqiptar. Çfarë opinionesh kanë mbërritur deri tek ju?
Nuk e di akoma si kanë qenë opinionet, libri sapo ka dalë nga shtypi. Kam dëgjuar fjalë të mira nga miqtë. Prindërit e kanë lexuar një vit para se të dilte në Itali. Nga kritika... s’di ç’të them për komentet e kritikës.
Si ndiheni tani, i prezantuar në publik edhe si shkrimtar, krahas baletit, kinematografisë...
Shkrimtar është shumë për mua. Le ta quajmë një eksperiencë. E mora shumë për zemër kërkesën që mu bë nga shtëpia botuese italiane, për të rrëfyer historinë time që nuk është vetëm e imja por edhe e shumë shqiptarëve të tjerë si unë, bashkëatdhetarë që kanë jetuar e jetojnë si emigrantë në Itali. Veç kësaj duhej ta rrëfeja edhe për t’i ndryshuar opinionin publikut italian, që njihte kryesisht anën tonë negative. Doja që nëpërmjet jetës sime personale të tregoja dhe jetën e popullit shqiptar me kulturën, traditat, gjuhën...
Pjesë e rrëfimit tuaj është bërë dhe Suela, një nga vajzat qe udhëtonte bashkë me ju në traget... Si ka reaguar ajo pas librit? Po personazhet e tjerë të librit tuaj?
Suela faktikisht është një personazh pak a shumë i sajuar, imagjinuar. Sepse ka pak fiction në të gjithë librat për ta bërë më interesante historinë. Suela në të vërtetë ishte me mua në traget por nuk është krejt ajo Suelë e librit tim. Është shumë e ndryshuar. Kurse gruaja e Alionit, një mikut im shqiptar, që e ka lexuar librin është shprehur shumë e kënaqur dhe është shumë dakord me të gjitha pjesët e librit ku i shoqi është personazh. Sepse në të vërtetë, të flasësh për shokët dhe kolegët është edhe përgjegjësi veç të tjerash.
Le ta kapërcejmë argumentin e librit, të kalojmë tek ju: A keni një mike të ngushtë në krah aktualisht?
Aktualisht nuk kam asnjë mike. Kam pasur një raport gati para një viti por tani jam singëll.
Cili është komenti juaj për gruan? C’është ajo sipas jush?
Gruaja është ajo pjesë që plotëson çdo moment burrin...
E bukur apo inteligjente? Apo pak nga të dyja. Si duhet të jetë një femër që të tërheqë vëmendjen tuaj?
Në imagjinatën e çdo personi dëshira mund të jetë gjë tjetër nga realiteti. Unë nuk kam një tip në kokë, nuk kam një model. Nuk e parashikoj asnjëherë se si duhet të jetë e dashura ime. Më pëlqen të kem kontakt direkt me personin, sepse kanë shumë rëndësi emocionet e momentit, është alkimi. Gruaja nuk është një objekt që preket apo blihet ndaj s’mund ta përfytyrosh se si duhet të jetë ajo që të tërheqë vëmendjen.
Shpesh në nënvetëdijen e një burri ekziston një model për gruan e jetës? Për ju si duhet të jetë ajo?
Më tërheqin tipat sportivë, dhe besoj se kjo duhet të ketë lidhje me profesionin tim, me artin.
Për të qëndruar edhe pak të modeli: djemtë kërkojnë tiparet e nënave te gratë ashtu si vajzat kërkojnë figurën e baballarëve (pak a shumë). Dëshironi ta kundërshtoni?
Duhet të jem në atë situatë që ta them me siguri. Duhet të kem një grua. Ndryshe nuk do të mund ta përfytyroja. Jam mësuar të jetoj me të tashmen, të shijoj përvojën aktuale dhe jo të ardhmen.
S’mendoni për krijimin e familjes!?
Është normale që të ardhmen të dëshiroj edhe unë të kem familjen time. Kjo ndodh me të gjithë.
Që një burrë e një grua, të rrinë bashkë duhen të jetë të njëjtë? Apo besoni te teoria e të kundërtave që tërhiqen?
Besoj te respekti i ndërsjellët, kjo është gjëja kryesore në një marrëdhënie. Kjo është domosdoshmëri që një burrë e një grua të rrinë bashkë.
Lidhjet mbarojnë shpejt, apo zgjasin?
Për jetëgjatësinë e një lidhjeje besoj se nuk mund të parashikohet, ato mund të fillojnë e mbarojnë pa e ditur asnjëherë se kur.
Meqë jemi në prag të festave të fundvitit, çfarë projektesh keni?
Festat akoma nuk i kam menduar. Do jem në Paris. Ndoshta mund të vij edhe në Shqipëri, por ende se kam vendosur, kjo varet nga provat e spektaklit.