Kompania ceke kercenon qeverine

21/12/2009 15:38

 Kompania çeke, CEZ, e kërcënoi dje qeverinë shqiptare me hapa ligjorë dhe shpalli se parashikon kolapsin financiar dhe falimentimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, pasi sipas tyre, çmimet e miratuara nga ERE nuk mjaftojnë për të mbuluar koston. CEZ paralajmëroi se do ta hedhë në gjyq qeverinë shqiptare dhe Entin Rregullator të Energjisë. Sipas kompanisë, rritja e tarifave me 7.1 për qind për seksionin e shpërndarjes do t‘i shkaktojë asaj 20 miliardë lekë (rreth 150 milionë euro) humbje për vitin e ardhshëm, gjë që do ta bëjë të pamundur sigurimin e kredive nga bankat.

“Kompania OSSH sh.a., dhe CEZ a.s., si zotërues i paketës kryesore të aksioneve, kundërshtojnë me forcë vendimin e marrë nga ERE për rritjen e tarifës së energjisë elektrike për vitin 2010 dhe vendime të tjera lidhur me të. Ne prezantuam gjithë dokumentacionin dhe provat e nevojshme për të mbrojtur propozimin tonë për rritjen e çmimit të energjisë, si dhe i ofruam ERE-s gjithë shpjegimet e kërkuara shtesë”, thanë dy kompanitë dje në një deklaratë.

Ne e shohim këtë si një sulm kundër investitorëve të huaj në vend, gjë që është krejtësisht e papranueshme. OSSH-ja do të përdorë të gjithë hapat e mundshëm ligjorë për të mbrojtur interesat e konsumatorëve të OSSH-së dhe aksionerëve të vet, duke ndërmarrë hapa ligjorë brenda vendit dhe jashtë vendit, si dhe përdorimin e garancisë së dhënë nga Banka Botërore”, vijon më tej deklarata.

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes pati kërkuar 23 për qind rritje të çmimeve me pakicë për vitin 2010, si dhe rreth 60 milionë euro pagesë nga buxheti i shtetit. Sipas OSSH, pavarësisht kësaj rritjeje drastike të çmimeve, kjo kompani do të realizonte 1.7 miliardë lekë humbje. Enti Rregullator i Energjisë, i cili ligjërisht përcakton tarifat në treg në mbrojtje të konsumatorëve, miratoi vetëm një rritje çmimi mesatar prej 12.8 për qind, ku tarifat që i takojnë OSSH-së u rritën me 7.1 për qind. ERE deklaroi pas vendimit se i ka “rezistuar presionit të medias, politikës dhe kompanive dhe ka vepruar në mënyrë të pavarur”. Sipas ERE, OSSH duhet të punojë me reduktimin e vjedhjeve në rrjet, në mënyrë që të ulë kostot. Por OSSH beson se as ulja e vjedhjeve nuk mjafton për të nxjerrë kompaninë me fitime.

“OSSH-ja do të vazhdojë të ketë një rritje të lartë të borxhit prej 20 miliardë lekësh në vitin 2009, kundrejt partnerëve të jashtëm, duke e çuar në nivelin e 25,8 miliardë lekëve. Kjo në mënyrë të pashmangshme do të çonte në kolaps financiar dhe më pas në falimentim të OSSH-së”, thotë kompania.

Debati për humbjet

OSSH prezantoi në nëntor një raport të përgatitur nga një kompani e pavarur, ku humbjet në rrjetin e transmetimit rezultonin të manipuluara gjatë kohës kur kompania qe nën pronësi shtetërore. Zyrtarët e shtetit patën faturuar artificialisht një konsum tejet të madh të energjisë nga vetë zyrat e OSSH-së në të gjithë vendin, duke kryer pagesa brenda kompanisë. ERE e shqyrtoi këtë raport dhe nuk e pranoi si të vërtetë.

“Studimi mbi humbjet, i përgatitur nga një auditor i pavarur, i përzgjedhur nga vetë ERE dhe OSSH, për habi nuk u pranua nga ERE. Për këtë arsye, ne e konsiderojmë që nuk ka një studim të saktë mbi këtë gjë dhe se vendimi i ERE-s mbi tarifat, i datës 15.12.09, nuk është në përputhje me Deklaratën Rregullatore”, thotë CEZ.

Deklarata rregullatore

Gjatë privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, qeveria shqiptare pranoi të nënshkruajë një aneks kontrate, ku pranonte se vjedhjet e energjisë në rrjet do të konsideroheshin si pjesë e kostos deri në një farë mase, me kushtin që blerësi të punonte për reduktimin e tyre. Po ashtu, deklarata rregullatore sanksionon detyrimin e qeverisë shqiptare për të lejuar rritje çmimesh të mjaftueshme për të mbuluar kostot e furnizimit me energji. Për ta garantuar këtë detyrim, qeveria shqiptare pranoi një letër krediti nga Banka Botërore me vlerë 60 milionë euro, të cilat do të mund të tërhiqen nga CEZ te BB në rast të shkeljes së deklaratës rregullatore. Banka Botërore nga ana e saj do t‘ia marrë këto para qeverisë shqiptare.

“Ne do të kërkojmë të caktohet një auditor i ri për humbjet dhe insistojmë fuqishëm që baza për vendimin mbi tarifat të jetë studimi mbi humbjet, në mënyrë që vendimet të përputhen me deklaratën rregullatore. Ne nuk presim rritje dramatike të tarifave, por insistojmë në përdorimin e duhur të mekanizmave të kompensimit, ashtu siç ishin planifikuar gjatë procesit të privatizimit”, tha CEZ