Kush thote qe diploma eshte antiligjore, eshte dashakeq

20/12/2009 14:35

 Një grup pune i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës zhvilloi dy ditë më parë takime me studentët e Fakultetit Juridik, rektorati, dhe senatin e universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës. Pas negociatave që u zhvilluan gjatë gjithë ditës mes grupit të punës së ministrisë dhe studentëve, u arrit të gjendej një zgjidhje për formën e diplomës e cila është plotësisht konform Ligjit të Arsimit të Lartë. Studentët e pranuan këtë zgjidhje dhe e ndërprenë grevën pardje rreth orës 23:00.

Çdo spekulim se kjo formë e diplomës nuk është në përputhje me ligjin, është keqdashës, dizinformues dhe një mungesë respekti ndaj investimit që kanë bërë studentët së bashku me familjet e tyre, për të kurorëzuar me sukses studimet universitare.

Me këtë rast MASH falënderon grupin e studentëve për frymën e bashkëpunimit që treguan në bisedimet e zhvilluara me grupin e punës dhe përfaqësuesit e rektoratit të Universitetit të Vlorës.

MASH shpreson në vazhdimin e këtij bashkëpunimi me rektoratin e universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, për të mbyllur në kohë regjistrimin përfundimtar të të gjithë maturantëve fitues në programet e studimit të këtij universiteti, sipas listave të shpallura nga Agjencia Kombëtare e Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë.