Marreveshja, thjeshtohen vizat per biznesin

21/12/2009 15:42

 Hyn në fuqi marrëveshja për thjeshtëzimin e vizave për 12 anëtarët e organizatës së “Detit të Zi”, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Qëllimi i paktit ka të bëjë me rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes vendeve si Shqipëria, Turqia, Ukraina, Greqia, Moldavia, Rusia, Gjeorgjia, Serbia, Rumania, Bullgaria, Armenia dhe Azerbajxhani. Përfituesit e liberalizimit të vizave do të jenë biznesmenët e mëdhenj, si dhe shoferët profesionistë të transportit rrugor. Organizata e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi është krijuar rreth tri vite më parë dhe u konsiderua si mjeti i duhur për të reduktuar barrierat ligjore dhe teknike në lëvizjen e lirë të mallrave dhe personave të autorizuar për qëllime biznesi. Në planet e kësaj organizate është edhe ndërtimi i një superautostrade që përshkon të gjitha vendet anëtare. Pakti është firmosur nga ministri i Jashtëm, Lulëzim Basha në vitin 2008 dhe është fuqizuar dje me publikimin në Fletoren Zyrtare. Aktualisht marrëveshja ndodhet në procesin e ratifikimit nga të gjitha vendet, deri në fuqizimin e saj.

Procedurat

Tashmë qeveria shqiptare do të hartojë një listë kombëtare të biznesmenëve dhe shoferëve profesionistë, për t‘ia kaluar anëtarëve të tjerë, në formë akreditimi. Formulari i çdo personi të autorizuar përmban emrin e plotë, datën dhe vendin e lindjes, numrin e pasaportës dhe vlefshmërinë e saj, numrin e patentës së shoferit, datën e lëshimit dhe skadimit. Të gjitha vendet amtare të “Detit të Zi”, do t‘ia përcjellin njëra-tjetrës skedarin me emra përmes kanaleve diplomatike. Pas konsolidimit të listës emërore, çdo person i autorizuar mund të kalojë kufirin pa qenë i detyruar të paraqesë dokumente shtesë.

Njohja e vizave

Misionet diplomatike dhe konsullore të palëve kontraktuese do të lëshojnë viza për aplikuesit, biznesmenët dhe shoferët profesionistë, që janë shtetas të 12 vendeve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik të Detit të Zi. “Vizat me shumë hyrje do të jetë e vlefshme për një periudhë maksimale 1 (një) vit, duke marrë parasysh periudhën e vlefshmërisë së pasaportës apo patentës së shoferit. Palët do t‘i bëjnë të gjitha përpjekjet për përshpejtimin e dhënies së vizave në përputhje me legjislacionin e tyre kombëtar”, thotë neni 2 i marrëveshjes.

Zhvillimi ekonomik dhe tregtar është qëllimi kryesor i vendeve anëtare që kanë pranuar të lidhin marrëveshje liberalizimi vizash me njëra-tjetrën. Shqipëria aktualisht ka një nivel bashkëpunimi ekonomik të konsiderueshme me Greqinë dhe Turqinë, disi me Serbinë dhe Bullgarinë, kurse me vendet e tjera shkëmbimet janë në përmasa tepër modeste.