Master, kriteret dhe afatet per aplikim

20/12/2009 14:28

 Një Vendim i Këshillit të Ministrave, në datë 3 dhjetor, u jep mundësinë të gjithë të diplomuarve të aplikojnë për një master të nivelit të dytë deri më datën 20 dhjetor.

Instituti i Studimeve Europiane, një strukturë tashmë e “legalizuar” nga qeveria, ofron 90 kuota pranimi për të gjithë ata që kanë përfunduar ciklin e studimeve universitare në fakultetet e shkencave shoqërore.

Lajmi i mirë është që “kumbari” i Institutit Shqiptar do të jetë Instituti i Studimeve Europiane në Barcelonë. Përfaqësues nga Universiteti i Tiranës zhvilluan një takim zyrtar javën e kaluar me homologët e tyre, duke vendosur jo vetëm urat e bashkëpunimit, por duke marrë edhe “direktivat” e nevojshme nga simotra e “madhe”.

Organizimi i Institutit

“Si njësi kryesore, instituti do të organizohet në tri njësi bazë, departamente, ku çdonjëri do të mbulojë një prej tre drejtimeve të Masterit të Nivelit të Dytë në Studime Europiane. Do të kemi një departament që do të merret me çështjet e “Politikës dhe qeverisjes në Europë”, një tjetër që do të merret me çështjet e “Legjislacionit dhe institucioneve europiane”, si dhe një të tretë që do të merret me çështjet e “Diplomacisë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të BE”, sqaroi drejtoresha e institutit, Eva Hyskaj. Sipas saj, një ndihmë të madhe për këtë “bërthamë” ka dhënë Agjencia Spanjolle për Integrim dhe Zhvillim Rajonal, AECID, ambasadori spanjoll në Tiranë, Manuel Mantobio, si dhe Rektorati i UT-së.

“Një nga qëllimet është krijimi i bërthamës studimore për integrimin europian, një qendër për dokumentacionin europian dhe një katedër ‘Zhan Mone‘”, sqaroi Hyskaj. Sipas saj, kooperim do të ketë jo vetëm me homologët spanjollë, por dhe me universitetet belge, gjermane.

Kriteret, dokumentet

Të gjithë aplikantët e interesuar do të kenë mundësi të aplikojnë në rast se kanë mesatare të lartë, kërkohet mbi 8.5 dhe të kenë mbaruar në fushat: shkenca sociale, juridik, ekonomi, histori-filologji. Kërkohet zotërimi i gjuhës angleze, një kërkesë e cila të sqarojë qëllimet e ndjekjes së këtyre studimeve, leje nga titullari i institucionit, si dhe dy rekomandime nga personat që njohin kapacitetet akademike dhe profesionale.

Dokumentacioni i nevojshëm është plotësimi i formularit të aplikimit, certifikatë lindjeje me fotografi, jetëshkrim, diploma dhe lista e notave e noterizuar. Kërkohet fotokopja e noterizuar e diplomave apo certifikatave të kurseve të kryera.

Fotokopje e dëshmisë së gjuhës angleze, listë botimesh e shoqëruar me fotokopje të botimeve. Letrat dhe rekomandimi duhet të jenë të mbyllura në zarf, si dhe tre fotografi. Fletëpagesa e taksës së regjistrimit për konkurrim, si dhe një deklaratë që kandidati përballon shpenzimet.

“Aktualisht infrastruktura e institutit do të jetë Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, më pas do të shikojmë mundësinë për shfrytëzimin e ambienteve të rektoratit. Është përcaktuar veprimtaria, disiplinat, plani mësimor. Ka karakter shumëdisiplinor dhe ndërdisiplinor me bosht kryesor ekonominë, historinë, kulturën, sociologjinë dhe diplomacinë”, përfundoi Hyskaj.