Oret shtese, do te paguhen 100 per qind

20/12/2009 14:31

 Pedagogët, të cilët punojnë në universitetet shtetërore dhe janë përfshirë edhe në leksione jashtë orarit zyrtar, pra kanë pasur shtim ngarkese do të marrin pagë më të lartë. Deri tani, orët suplementare janë paguar me 30 për qind të normës aktuale. Por, duke nisur nga data 15 nëntor, pedagogët do të paguhen për mbingarkesë në masën 100 për qind. Dy ditë më parë, rektorati i Universitetit të Tiranës ka marrë vendimin për të paguar pedagogët për mbingarkesën mësimore. “Bazuar në situatën e konstatuar për sistemin e pagës për personelin akademik efektiv të Universitetit të Tiranës, për tejkalimin e lëndës mësimore, si dhe pagesën e pedagogëve të jashtëm për ngarkesën e realizuar pas konsultimit me legjislacionin në fuqi urdhëroj që të kryhet pagesa në masën 100 për qind për tejkalimet e ngarkesës mësimore të realizuar nga personeli akademik i Universitetit të Tiranës”, sqarohet në shkresë. Sipas urdhrit, kërkohet që për pagesat efekti financiar të përballohet në masën 30 për qind nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër nga të ardhurat që ka Universiteti i Tiranës, të miratuara për këtë destinacion.

Në këto kushte, pagesa e profesorëve të Universitetit të Tiranës, të cilët kanë hequr dorë nga dypunësimi, do të kenë stimul sipas urdhrit të UT-së për të përfituar 100 për qind për orët shtesë, ashtu sikundërse paguhen edhe për orët në normën e përditshme.

Sakaq, sipas përfaqësuesve të Universitetit të Tiranës, duke llogaritur pagesat e profesorëve, dilet në përfundim se shumica e tyre merr të ardhura më të larta në shtet se sa në privat.