Part-time, kush nuk regjistrohet zevendesohet

20/12/2009 14:26

 Sot në mesditë, fakultetet e Universitetit të Tiranës do të publikojnë listën e fituesve në sistemin part-time.

Të gjithë fituesit do të kenë mundësi të regjistrohen duke paraqitur certifikatën origjinale dhe duke bërë pagesën për programet e para. Ata që nuk do të paraqiten për regjistrim, pasi kanë fituar në fakultete të tjera do të lënë vendin bosh dhe në këtë mënyrë do të ketë plotësim të kuotave, duke spostuar listën e fituesve në bazë të mesatares, sipas renditjes së publikuar pak ditë më parë nga Rektorati i Universitetit të Tiranës.

UT-ja u dha mundësinë të gjithë studentëve të cilët kishin ankesa dhe paqartësi për mesataren, për llogaritjen e pikëve, për padrejtësi apo pasaktësi, për të rikontrolluar edhe një herë të dhënat nga sekretaritë e fakulteteve.

Regjistrimi

Regjistrimi i kandidatëve fitues do të bëhet vetëm me dëftesën e pjekurisë origjinale të shkollës së mesme. Dokumentet e aplikantëve jofitues duhet t‘u kthehen personave kundrejt kërkesës. Pas mbylljes së procesit të regjistrimit, institucionet publike të arsimit të lartë do të dorëzojnë në Ministrinë e Arsimit, listat përfundimtare të kandidatëve fitues të regjistruar në datën 22 dhjetor. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, lëshuar pak kohë më parë, kuotat e pranimeve në studimet e ciklit të parë me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë, të cilat do të mbeten të parealizuara, rishpërndahen sipas institucioneve publike të arsimit të lartë dhe programeve të ndryshme të studimit nga Ministria e Arsimit.

Regjistrimi i kandidatëve për transferim studimesh kryhet pas shpërndarjes nga Ministria e Arsimit.

Tarifat e shkollimit

Studimet më të shtrenjta në sistemin me kohë të pjesshme do të jenë në Universitetin Politeknik, konkretisht në degën e Inxhinierisë Mekanike, edukim në distancë. Tarifa për një kredit është 1.800 lekë, që do të thotë se një vit në këtë degë paguhet mbi 1 milion lekë të vjetra dhe për tre vjet 324 mijë lekë të reja, mbi 3 milionë lekë të vjetra. Po ashtu, studimet trevjeçare në një nga degët e Fakultetit të Shkencave Natyrore, Biologji- Kimi kushtojnë 288 mijë lekë të reja. Ndër degët më të shtrenjta këtë vit përfshihen edhe ato të Universitetit Bujqësor. Për të vazhduar me korrespondencë degën e Agrobiznesit apo Hortikulturës duhet të paguash 198 mijë lekë të reja për tre vite studimi.

Mbi 150 mijë lekë janë vendosur tarifat e shkollimit për të ndjekur një nga degët në Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë, Historisë, Gjeografisë, dega e Ciklit të Ulët, Cikli i Ulët Parashkollor, degët në Fakultetin e Shkencave Sociale, Turizëm. Degët me çmime pak më të ulëta, janë ato të Fakultetit e Ekonomikut, për të ndjekur studimet gjatë tri viteve maturantët duhet të paguajnë mbi 135 mijë lekë, që do të thotë për secilin vit pagesa të jetë 45 mijë lekë të reja.