Rama: Kushtet per dialog me Berishen

20/12/2009 15:09

 Kryesocialisti Edi Rama u ktheu dje përgjigje publikisht ftesave për dialog nga eksponentët e mazhorancës. Në fjalimet e tij gjatë protestave në Fier dhe Vlorë, Rama tha se “na thonë çdo ditë mafiozë e perversë, na bëjnë terroristë e na lidhin me botën e krimit, na shkelin mbi varrin e familjarëve tanë e na hedhin baltë si torturues të fëmijëve tanë. Dhe ndërkohë, më e bukura, na ftojnë në Parlamentin e kutive të mbyllura e na kërkojnë dialog për të mirën e vendit”. “Dialog? Po. Por më parë të marrin mbrapsht akuzat e turpshme dhe shpifjet monstruoze ndaj opozitës”, u shpreh Rama. Por, shtoi ai, më parë të hapin kutinë e mbyllur të të dhënave reale e të realitetit të plagëve të ekonomisë, duke filluar nga tuneli i Kalimashit, shifrat faktike të shpenzuara deri tani, sasinë e dëmit të shtuar nga shembja, parashikimin fundor të kostos së rrugës dhe, pa dyshim, nisja e hetimeve për të me një shprehje të qartë vullneti. “Dialog? Po. Por më parë të heqin dorë nga kushti i moshapjes së kutive, duke i dhënë fund gënjeshtrës që hapja e kutive bika në kundërshtim me vendimin e gjykatës. Po vëmë kushte? Jo. Po themi vetëm që dialogu duhet të jetë demokratik, i barabartë, i vërtetë, i hapur për çdo zgjidhje të krizës së rëndë dhe në asnjë mënyrë mjet shpëtimi për një pushtet që hedh lumin e vret kalin”, nënvizoi Rama. Ashtu siç bëri me zgjedhjet, vijoi ai, duke grisur paturpësisht dhe forcërisht ligjin që detyron hapjen e kutive me kërkesë të dy anëtarëve të KQZ-së. “Dhe nëse duan vërtet dialog, ta harrojnë se mund ta realizojnë duke u tallur me ndërkombëtarët, se me ne nuk tallen dot më. Ta harrojnë se e realizojnë dialogun, duke bërë shfaqje banale urtësie për të larë gojën dhe për të thënë ja, ne duam dialog, po s‘do opozita”, u shpreh Rama. Jo, vijoi ai, nëse duan dialog të krijojnë kushtet për dialog dhe ta harrojnë se mund të ekzistojë ndonjë dialog sa për të rikthyer opozitën në Parlament e për të na rifilluar farsën e demokracisë pa liri e të drejta të barabarta për të gjithë, pa institucione të pavarura, pa garanci kushtetuese e ligjore për çdo qytetar të kësaj republike. “I alarmuar nga frika e popullit opozitar dhe i kapur peng nga e vërteta e kutive që mban peng, Sali Berisha po prodhon çdo ditë sasira të jashtëzakonshme balte e kërcënimesh për opozitën”, tha Rama. Në vlerësimin e liderit të opozitës për shpifjet e përbindshme ndaj opozitës së etiketuar si mafioze, Sali Berishën e presin në gjykatë e në prokurori dhjetëra padi. “Le të bëhet njëherë burrë ky gojëpërdalë, që ka njëzet vjet që e turpëron këtë vend e këtë shoqëri me fjalorin e tij, me të sharat e të palarat e tij, me shpifjet e gënjeshtrat e tij dhe le të shkojë në gjykatë e prokurori të përballet me të gjitha ato që paturpësisht ka thënë ky Pinok që u plak po nga gënjeshtra dorë nuk hoqi”, theksoi Rama. Hap kutitë ose largohu Sali Berisha, tha Rama, sepse nuk mund ta shpallësh opozitën mafia në vitin 2009 në mes të Europës, nuk mund të përdorësh pushtetin për të vërsulur shtetin kundër opozitës, nuk mund të sundosh mbi këtë popull duke i treguar opozitës darët e ligjit ti, që je i zhytur fundekrye në borxh me ligjin e me vetë Kushtetutën. “Nga Vlora e Fieri i përsërisim sot Sali Berishës se e ka kot që përpiqet të mbulojë zullumet e veta, duke iu hakërryer opozitës si i marrë”, këmbënguli kreu socialist. Rama mendon se dialogu nuk do të vijë kurrë nëse përsëritet ashtu siç bëri me zgjedhjet e fundit duke grisur paturpësisht dhe forcërisht ligjin që detyron hapjen e kutive me kërkesë të dy anëtarëve të KQZ-së. Në fjalën e tij në “Sheshin e Flamurit”, kreu i opozitës tha se “i themi hap kutitë ose largohu gënjeshtar, sepse në ato kuti fshihet vendimi i shqiptarëve për një politikë të re për më të pambrojturit”. Për një qeveri, shtoi ai, që nuk tallet me ata që s‘kanë zë, s‘kanë dëgjim, s‘kanë gjymtyrë apo fuqi të reagojnë. “Për një qeverisje që ka gojë, veshë, sy, duar edhe për më të pambrojturit. Në vend se Krishtlindjet e Viti i Ri të sillnin pak më shumë gëzim për 800 mijë shqiptarët e pasiguruar, ata kanë marrë lajmin se për çdo trokitje te mjeku do të paguajnë deri pesë herë më shumë”, insistoi Rama.