Rritja e cmimit te dritave, biznesi paralajmeron protesta

21/12/2009 15:44

 Kur kanë mbetur edhe 10 ditë nga vendimi i ERE-s për të ndryshuar tarifat e energjisë elektrike, reagimet e bizneseve po bëhen gjithnjë e më të forta. Plani i OSSH për ta rritur çmimin deri me 44 për qind rrezikon shumë ndërmarrje në vend, duke pasur koston e lartë, mungesën e shitjeve, e deri në mbyllje aktiviteti. Institucioni që mbron interesat e bizneseve industrialiste në vend deklaron hapur se është kundër rritjes dhe u sugjeron palëve të ndiqet shembulli i vendeve të tjera që ul tarifat për bizneset. Më të drejtpërdrejtë janë treguar tregtarët e vegjël, të cilët paralajmërojnë protesta në rast se miratohet një rritje e tillë e faturës së energjisë elektrike.

Për Konfindustrinë ky shtrenjtim do të reflektohej direkt mbi kostot e prodhimit vendas, duke i bërë ato më pak të konkurrueshme në raport me mallrat e importit. Rrjedhimisht më pak shitje, probleme likuiditeti deri në shkurtime të vendeve të punës apo falimentime të ndërmarrjeve. “Duhet parë eksperienca e vendeve të tjera, ku çmimi i energjisë për biznesin është ulur dhe jo rritur”, u shpreh Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustrisë.

Ata që preken direkt nga shtrenjtimi i energjisë elektrike janë bizneset e vogla. Subjektet e qytetit të Korçës kanë reaguar dje me tona të forta ndaj planit të CEZ për të rritur tarifat e energjisë elektrike. Sipas tyre, rritja me 44% e çmimit të energjisë do të jetë e papërballueshme për mijëra subjekte jo vetëm atyre që operojnë si njësi tregtare, por nga ana tjetër edhe për bizneset e mëdha, që mund të kenë humbje të ndjeshme nisur nga pagesat më të larta për energjinë elektrike. Sipas tyre, vendimi që pritet të marrë ERE, thellon krizën ekonomike. Subjektet kanë kërcënuar se do të dalin në protesta në rrugë dhe do të kërkojnë me insistim një marrëveshje mes qeverisë dhe kompanisë për të mos kryer këtë rritje, e cila ndikon në kostot e produkteve, por edhe te falimentimi. “Rritja e çmimit të energjisë elektrike është për ne një keqmenaxhim, vjedhje e abuzim dhe jo siç pretendohet nga ana e kompanisë CEZ për të ashtuquajturat humbje në rrjet. Për ne si biznese është e papranueshme një rritje e tillë, pasi paralizohet puna jonë dhe do të ketë efekte të dëmshme duke ndikuar në mbylljen e subjekteve dhe të vendeve të punës, e deri në kaosin e një falimentimi. Gati 60% e bizneseve konsumojnë shumë energji për ruajtjen e prodhimeve, furrat, fast-foodet, lokalet etj.”, thotë kryetari i Shoqatës së Biznesit të Vogël, Albert Nasto. Biznesi i vogël në Korçë kërcënon se do të dalë në protesta deri në bllokimin dhe mbylljen e aktiviteteve. Janë të paktën 7000 biznese në Korçë që kanë kontestuar këtë rritje