Tafaj: Autonomia e universiteteve ne 2010

20/12/2009 14:26

 Konferenca e rektorëve të universiteteve, që ka propozuar ngritjen e një grupi pune për hartimin e një materiali që do të sugjerojë ndryshime në ligjin për arsimin e lartë në vend, është zhvilluar me dyer të mbyllura. Protestat studentore, të mbështetura në zbatimin problematik të sistemit të Bolonjës dhe vështirësitë e hasura, kanë bërë që të mblidhet konferenca e rektorëve në Durrës për të diskutuar mbi problemet që ka sjellë zbatimi i këtij sistemi në arsimin shqiptar. Ligji për arsimin e lartë nuk përputhet me ciklet e studimit të këtij sistemi, që ka nisur të aplikohet prej disa vitesh në vendin tonë. Tema e konferencës së rektorëve të universiteteve publike dhe jopublike, të organizuar në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ishte “Reforma në arsimin e lartë”. Në takim mungonin disa prej rektorëve të universiteteve të tjera të vendit. Sfidat me të cilat përballet arsimi i lartë në vend, akreditimi i universiteteve dhe problemet që rrjedhin nga një ligj, mbi bazën e të cilit ai funksionon, janë diskutuar nga krerët pjesëmarrës të rektorateve universitare në vend dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të arsimit të lartë. Ata kanë diskutuar mbi situatën e krijuar, vështirësitë që hasin dhe vërejtjet që kanë mbi ligjin 9751 të datës 21 maj 2007 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, diskutime që u mbajtën larg publikut. Kryetari i KRUSH-it, Jorgaq Kacani, ka vlerësuar pjesëmarrjen për herë të parë në takimet e konferencës të një ministri Arsimi. Në të vërtetë, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, e ka shfrytëzuar këtë konferencë për të kërkuar angazhimin e universiteteve në plotësimin e dy kapitujve të pyetësorit të KE-së, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Për plotësimin e këtyre kapitujve janë angazhuar 70-80 veta. “Afati është i shkurtër, por ne kemi forca për t‘iu përgjigjur me cilësi të lartë”, tha Tafaj, ndërsa u dha rektorëve pjesëmarrës lajmin e mirë për më shumë autonomi financiare nga janari i vitit 2010. Rektoratet e UV-ve publike do të mund të vendosin vetë se si do t‘i përdorin të ardhurat e siguruara nga të tretët. Një tjetër çështje në të cilën u ndal kreu i dikasterit ishte edhe shtrirja e teknologjisë së informacionit në të gjitha universitetet e vendit. Për të konstatuar gjendjen dhe hartuar një plan veprimi, Tafaj tha se është ngritur një task-forcë në ministri, e cila ka kapacitetet e duhura për të realizuar objektivin kryesor, që është modernizimi i administrimit akademik përmes teknologjisë brenda vitit 2010. Synohet të ketë një administrim qendror të universiteteve, ngritjen e sallave të videokonferencave dhe kabineteve të informatikës në të gjitha departamentet e universiteteve. Ministri tha se në buxhetin e vitit të ardhshëm janë përfshirë edhe fonde për të mbështetur realizimin e menaxhimit akademik. Kryetari i konferencës së rektorëve, rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Jorgaq Kacani, duke premtuar vënien në dispozicion të potencialeve të UV të tij për të arritur objektivat madhorë për Shqipërinë dixhitale që nis nga universitetet, e vuri theksin te pavarësia dhe autonomia financiare e universiteteve. Më pas ai ftoi pjesëmarrësit të diskutojnë mbi ligjin dhe problemet që dalin prej tij, ndërsa mediat të dalin jashtë sallës për të vazhduar takimin me dyer të mbyllura. Bazuar mbi problematikën e konstatuar gjatë punës së përditshme në zbatim të këtij ligji, në konferencë është propozuar ngritja e një grupi pune të përbërë nga ekspertë të fushës dhe juristë, për të hartuar një material sugjerues, i cili u deklarua se do të përfundojë dhe miratohet në takimin e ardhshëm të konferencës së rektorëve.