Tregtaret kercenojne: Do te leme makinat pa nafte

21/12/2009 15:45

 Rrezikon të agravohet situata mes tregtarëve të karburantit dhe qeverisë. Prej disa ditësh, tatimet kanë vendosur gjoba dhe mbyllur aktivitetin e shumë pikave të shitjes me karburant, kurse tregtarët nuk i pranojnë masat administrative, duke paralajmëruar se, në rast se nuk merren masa, do të futen në grevë. Gazeta “Shqip” mëson planin e shoqërive të naftës, të cilët presin një përgjigje nga Kryeministri Berisha dhe ministri i Financave. Në rast se nuk merr zgjidhje çështja e gjobave shumë milionëshe, atëherë situata mund të përkeqësohet deri në mbyllje të pikave në një afat të papërcaktuar, duke lënë pa karburant automjetet dhe paralizuar transportin. Megjithatë mbetet ende një plan, për aq kohë sa Shoqata e Hidrokarbureve është duke negociuar për rivlerësimin e masave administrative.

Qëndrimi i shoqërive

Me urdhër të drejtorit të Njësisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj (VIP), është kërkuar rikontroll dhe kontroll masiv, për periudhën 2008-2009. Nga ky kontroll kanë dalë disa raporte kontrolli, të cilat, në gjykimin e kompanive, nuk mbështeten në ligj dhe realitetin ekonomik të subjekteve. Masa e ndëshkimit ndaj kompanive të naftës shkon në disa miliona dollarë, kurse për disa të tjera është urdhëruar mbyllja e aktivitetit. Duke dashur të sqarojnë opinionin publik, Shoqata e Hidrokarbureve tha dje se, “çmimet me të cilët konsumatorët blejnë çdo ditë karburantin (të cilat lehtësisht konstatohen nga kushdo), janë të ndryshme në qytete, rrugë nacionale, Tiranë e rrethe dhe mes kompanive dhe, janë të pasqyruara në dokumentet kontabile të çdo kompanie”. Sipas tregtarëve, problemi qëndron se punonjësit e tatimeve kanë nxjerrë një çmim mesatar, ku herë thonë se është çmim i investiguar dhe herë se është një çmim i INSTAT dhe, me këtë çmim të fiksuar, të pambështetur në realitetin e tregut, kërkojnë të rivlerësojnë të gjithë veprimtarinë e kompanive. Shoqëritë nuk pranojnë edhe masën e gjobave sa i takon vendosjes së kasave fiskale. Edhe pse kanë lidhur kontratat me shoqëritë e autorizuara për pajisjet fiskale, vendosja e kasës nuk ka ndodhur në kohë, kurse gjoba i është vënë tregtarit të naftës, paçkas kishte paguar detyrimin. Për këto dhe të tjera probleme, është kërkuar ndërhyrja e ministrit të Financave dhe është vënë në dijeni Kryeministri me anë të një letre. Shoqata pret përgjigje, por në rast se situata nuk ndryshon, reagimi do të jetë serioz.

Greva

Në ditët që vijnë, Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve do të bëjë publike të gjitha hapat që do të ndërmarrin në mbrojtje të lirive ekonomike që u garanton sistemi. “Shqip” mëson nga tregtarët e naftës, të prekur nga gjobat, për rrugën që do të ndiqet deri në zgjidhjen e problemit. “Do t‘i mbyllim të gjitha pikat e shitjes së naftës në Durrës dhe Tiranë, në një afat të papërcaktuar”, thotë njëra nga shoqëritë që nuk kërkon të identifikohet. Kurse një tjetër shton se, “do të furnizohen me karburant vetëm ambulancat, për të shmangur fatkeqësitë”. Deri tani këto janë pika të planit, që mund të vihen në zbatim shumë shpejt.