Universiteti i Tiranes shpall fituesit e fazes se fundit

20/12/2009 14:30

 Sot do të shpallen fituesit e fazës së katërt të regjistrimeve në shkollë të lartë, në sistemin e ditës. APRIAL-i ka mbyllur përpunimin e të dhënave të marra nga plotësimi i formularit A4 dhe në datën 30 nëntor dje ka shpallur listën përfundimtare të kandidatëve fitues të ndarë sipas programeve të studimit përkatës, në përputhje me kuotat e rishpërndara dhe njëkohësisht e dorëzon këtë listë në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës. APRIAL-i do të dorëzojë sot, në datën 1 dhjetor në formë të shkruar dhe elektronike, listat përfundimtare të kandidatëve fitues, sipas programeve përkatëse të studimit të ciklit të parë me kohë të plotë, në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë dhe DAR/ZA. Këto institucione afishojnë menjëherë listat në vende të dukshme në mjediset e tyre. Regjistrimi i kandidatëve fitues bëhet pranë sekretarive mësimore të institucioneve publike të arsimit të lartë në datat 2 deri 5 dhjetor 2009, nga ora 08.00, deri në orën 16.00. Formulari A4 u tërhoq dhe u dorëzua nga maturantët që nuk kishin fituar asnjë të drejtë studimi deri në datën 25 nëntor. Drejtoritë Arsimore i dorëzuan formularët e plotësuara pranë Agjencisë së Pranimit të Rezultateve në Institucionet e Arsimit të Lartë deri në datën 26 nëntor.

Pas mbylljes së kësaj faze, maturantët do të regjistrohen pranë sekretarive në degët e shpallura fitues dhe sipas APRIAL-it nuk do të ketë më asnjë fazë tjetër.

Maturantët që kanë mbetur pa shkollë dhe nuk kanë fituar asnjë të drejtë studimi do të duhet të përfitojnë nga kuotat part-time ose nga studimet në distancë