Amarda Toska - “S’e kam menduar veten nuse”

12/11/2003 00:08

Për Amin ka
    ardhur koha
    për pak ndry
    shim. E nisi
    me flokët. Hoqi dorë nga e zeza e përhershme. La disa kilogramë. Do të hyj në një shtëpi të re, dhe së fundmi do të martohet. Prezantuesja e njohur e spektaklit të humorit “Portokalli”, duket se këtë sezon e ka nisur me ndryshime. Së shpejti do të lërë shtëpinë e saj në Tiranë, për t’ju drejtuar vilës alla londineze në periferi të kryeqytetit. Eshtë shtëpia e ëndrrave të saj. Me vetrata ta mëdha xhami, nga ku hyn drita, në majë një kodre, plot ngjyra e hapësirë. “Shtëpia është e madhe sigurisht dhe sipas planeve që kemi bërë gjithmonë me Ermalin, i plotëson të gjitha kushtet. Sigurisht do jetë shtëpi e madhe se do të planifikohen edhe pjesëtarët e tjerë që do të vijnë, por akoma nuk kemi ndonjë plan të afërt për zgjerim”, tregon ajo. Por projektet e saj, nuk mbarojnë me kaq. Përveç spektaklit, agjencisë, së shpejti do të nis edhe me përgatitjen e dasmës së saj. Një dasmë që për të kushti është: duhet të jetë e bukur. Por ama detajet është herët ti mendoj. Aq sa edhe veten vështirë ta ketë menduar nuse. “Nuk kam një Ami nuse në kokë. S’e kam pasur ëndërr të madhe të vesh fustanin e bardhë dhe nuk di si do të jetë ajo ditë” shprehet ajo. Veç të tjerash këtë rrëfim te “Unë gruaja” e nis me kujtimet e fëmijërisë, me marrëdhënien me mamanë, Zana, nga e cila ka trashëguar bukurinë, babain Bashkim, a motrën Anila. Treshes së familjes, padyshim i është shtuar edhe Ermali, një tjetër krah mbështetës, me të cilin thur ëndrrat.
Le ta nisin bisedën me një kujtim fëmijërie... si e përshkruani?
Kam pasur fëmijëri të qetë, edhe pse kam qenë shumë më e lëvizshme, nga çfarë të jap përshtypjen tani. Mbaj mend time më që bëhej gjithnjë nervoze kur unë doja të rrija më shumë përjashta, të luaja. E kisha me shumë problem orarin kur duhej të hyja brenda, nuk është se kam qenë fëmijë i shtruar, ose i qetë, i urtë, në fëmijërinë time. Megjithatë nuk kam pasur episode “të tmerrshme” që të më kenë lënë gjurmë në kujtesë. Fëmijërinë, e mbaj mend si periudhë shumë të bukur të jetës. Fakti që unë kam qenë vajza e dytë e familjes, pas motrës sime më të madhe, kam qenë edhe e përkëdhelur. Kam pasur edhe një gjyshe në shtëpi dhe gjyshërit janë ata që të përkëdhelin më shumë, të mbajnë gjithmonë me hatër, kur prindërit, kërkojnë detyrat e shkollës, apo të vësh rregull në gjërat e tua kur kthehesh nga shkolla...
Kur ju kishit nevojë të rrëfeheshit, kush e bënte këtë rol, nëna, motra, babai?
Nuk kam qenë tip shumë i hapur, në sensin që ti kem konsideruar tamam si shoqe, mamin ose motrën. Kuptohet kur them si shoqe, bëhet fjalë për ato gjërat intime ose personale, që përbëjnë periudhën e kalimit nga fëmijëria e vonë, në adoleshencë. Çdo gjë që bëja, që ndjeja apo përjetoja, nuk e kisha të nevojshme ta tregoja dhe nuk jam tip që kërkoj të më dëgjojnë. Unë edhe po nuk e fola atë që mendoj, prapë jam mirë. E mendoj me vete.
Adoleshenca si ka rrjedhur...paralelisht me motrën tuaj?
Anila është shtatë vjet më e madhe se unë dhe diferenca ka bërë të vetën, që unë ta shihja atë më tepër si prind, me autoritet... Pas prindërve, ishte ajo që më kontrollonte dhe nuk di të them mirë, ose saktë përjetimin e adoleshencës së motrës dhe atë timen. Nuk kemi përjetuar të njëjtën kohë, pastaj në Shqipëri kohërat e jetesës kanë qenë të ndryshme. Mua më kapi periudha e 97-ës në adoleshencë, ndërsa ime motër e kishte kaluar atë periudhë. Mamaja ç’është për ju: prind, shoqe, udhëheqëse, model për tu ndjekur?
Është shumë e lehtë edhe shumë e vështirë për mua ta përshkruaj. Nuk e gjej te modeli i shoqes por më tepër e shoh në modelin e një prindi shumë të mirë dhe një mbështetje shumë të fortë që mua më është dhënë gjithmonë. Eshtë një prind që nuk më ka penguar për zgjedhjet e mia, shpesh më ka ndihmuar ti çoj përpara. Nëna është madhështore, hyjnore, shumë e rrallë, që e ke vetëm njëherë dhe nuk përsëritet më. Ndonëse me ritmin e jetës së sotme, nuk kemi shumë kohë t’i kushtohemi familjes (gjë që nuk është shumë e mirë), aq sa mund të kalojnë edhe ditë pa u parë me ta, padyshim flasim sigurisht çdo ditë në telefon, dhe prapë ti e di se ke një person që e ke gjithmonë afër.
Ngjani me nënën?
Fizikisht ngjajmë më thonë, madje kur ka qenë e re, në moshën time. Duke parë fotot e shoh se kemi shumë ngjashmëri fizike, në pamje, fizionomi... Ka qenë me tipare të rregullta, flokë të gjata të drejta, të zeza të theksuara, elegante... Ndërsa në fytyrë kam tipare më të theksuara nga babi.
Në ç’pikëpamje mamaja juaj ka qenë model për ju? Cilat janë ato karakteristika të saj që ju janë injektuar apo i keni përvetësuar?
Ka qenë ai model i nënës që nuk më ka penguar në zgjedhjet e mia, qoftë në jetën  personale qoftë edhe atë profesionale, në shkollë, fakultet, në çdo zgjedhje që kam bërë qoftë edhe në ato më të thjeshtat, në veshjen e një fustani, në ndërrimin e ngjyrës së flokëve... a kësi gjërash. Përkundrazi ka thënë gjithmonë gjëra pozitive.
Çfarë refuzoni të imitoni prej saj?
Kuptohet që gjërat evoluojnë dhe gjërat ndryshojnë. Nga njëri brez, që është ai i prindërve, deri te ne, sigurisht ka ndryshime në formimin e familjes dhe rritjen e fëmijëve. Edhe koncepti për rritjen e fëmijës ka ndryshuar mjaft, një shuplakë që besoj të gjithë fëmijët e kanë provuar në fëmijërinë e tyre, sot quhet deri diku edhe mëkat. Sot me fëmijët duhet të punosh gjithmonë me fjalë. Në këto elemente të vogla, disi dua të ndryshoj.
Mos vallë kur e vogël ndodheshit para ndonjë gabimi, hanit ndonjë shuplakë, a prindërit ju qortonin?
Po sigurisht, sigurisht. Madje le të themi se ime më ka qenë pak më e rrepte se sa babi, përsa i përket edukimit tonë. Ai është natyrë më e butë. Babi qëndronte në atë nivelin autoritar, dihet familjet tona janë patriarkale dhe ka pasur zënka apo qortime. Mbaj mend një nga gjërat që mami më bënte shpesh me mua ishin fletoret e grisura. Derisa unë të shkruaja bukur në klasë të parë, shkronjat apo grepat që mësonim fletoret e mia do të griseshin sa herë.
Po tani ç’ndodh?
Për prindërit jam e sigurt që gjithmonë do jem fëmija i tyre, e vogël. Ata do  dhe prapë ata do kenë të gjithë të drejtën dhe mirëkuptimin tim për qortimet që mund të bëjnë, qoftë edhe pas 30 vjetësh.
A ndodh t’ju drejtoheni prindërve për t’ju marrë një mendim, në momente të vështira të jetës suaj? Po momentet e lumturisë a i ndani me ta?
Po patjetër. Janë mbështetja ime e parë. E thashë unë jam tipi që nuk bëhem keq kur nuk i flas gjërat, mund ti kapërcej brenda meje, por sigurisht kur kam një gëzim apo problem që duhet zgjidhur a më duhet të marrë një mendim, ju drejtohem personave të mi të familjes, që tashmë nuk janë më tre por katër, pasi kam edhe Ermalin në krah. Dhe për këtë dua ti falënderoj jashtëzakonisht shumë.
Hipotetikisht, si e përfytyroni marrëdhënien tuaj me fëmijët, njësoj si ju me mamanë tuaj?
Sigurisht shumë pika janë për po, por le të themi do ndryshojë disi. Fakti që kur e mendoj si kam qenë unë e vogël, dhe unë do doja që në shtëpi të kishte më shumë fjalë dashurie. Atëherë, jo se nuk kanë qenë por shpesh jetesa deri vonë bëhej edhe me njerëz të tjerë në shtëpi, me vjehrrën ose kunetërit, njerëzit kanë qenë më të ngurtë në shprehjen e dashurisë. Ndaj ajo që dua unë që të shohin fëmijët e mi të ardhshëm do ishte pak më shumë dashuri, që të shprehej. Fëmijët duhet ta shohin, ta ndjejnë, ta prekin, jo thjesht të dinë që dy prindërit e mi duhen.
Cilat kanë qenë marrëdhëniet e nënës suaj me bukurinë?
Ka qenë shumë e hijshme si femër dhe ka pasur një shije shumë të veçantë për veshjen. Te veshjet e saj shoh një riciklim të modës së tanishme, ndonëse e vështirë të gjendeshin, diku me pak miqësi, me pak sakrifica. Madje para nja një jave kur po i shihnim fotografitë bashkë me të, po më tregonte peripecitë se si mundeshin ti gjenin, fundet, bluzat apo ato pak këpucë me miq.
Të qenit personazh publik, është avantazh apo disavantazh?
Është avantazh, sidomos në rastin tim që imazhin e kam edhe pjesë të biznesit tim privat. Disavantazhin mund ta përcaktoj vetëm në kufijtë e asaj lirisë personale ku çdo njeri do të ketë. Psh. Unë dua të iki në plazhin e Durrësit dhe nuk dua të shkoj në Spanjë, a Palma de Majorka të bëj plazh vetëm nga ndjesia se nuk më njohin. E ndjej që jam në siklet dhe nuk shkoj dot, pasi sytë e njerëzve janë përherë kureshtar, aq më tepër në Shqipëri që kurioziteti është shumë i madh. Ka situata të tilla dhe të sikletshme.
A besoni në fat?
Jo dhe aq.
Pretendoni se ju ka përkëdhelur fati?
Mendoj se gjërat kanë shkuar goxha mirë dhe mund ta quaj veten edhe të përkëdhelur nga fati, por them se kam arritur të plotësohem mjaft mirë në jetën profesionale dhe personale. Por nuk besoj te supersticioni. I lë gjërat të ndodhin në mënyrë rastësore.

Me Ermalin kemi shtëpinë e ëndrrave

Le të kthehemi te familja juaj e vogël, e reja. Në ç’fazë ndodheni aktualisht?
Ne jemi në fazën që akoma nuk kemi një vit që kemi hyrë në shtëpinë tonë të përbashkët, të re le ta themi, por që tashmë quhet e vjetër, pasi kemi vendosur të shpërngulemi në një rezidencë jashtë Tirane. Kemi marrë një shtëpi shumë më të bukur dhe them se është shtëpia e ëndrrave tona.
Si është shtëpia juaj e ëndrrave?
Është tamam si një shtëpi londineze, tipi i vilave me shkallë individuale, është dykatëshe. Nuk janë të dyja katet tona, por ne jemi në katin  e dytë. Ka shumë dritë, me dritare të mëdha, vetrata xhami, mrekulli për mua është drita që hyn aty. Edhe për dy muaj, them se jemi rezident në një periferi të Tiranës.
Gjithë kjo hapësirë që po i falni vetes, keni menduar për ndonjë zgjerim në familje?
Shtëpia është e madhe sigurisht dhe sipas planeve që kemi bërë gjithmonë me Ermalin, i plotëson të gjitha kushtet. Sigurisht do jetë shtëpi e madhe se do të planifikohen edhe pjesëtarët e tjerë që do të vijnë, por akoma nuk kemi ndonjë plan të afërt për zgjerim.
Në shtëpi ju tregojnë amvisë të mirë?
Jam amvisë e mirë, por fatkeqësisht nuk kam kohë të bëj asgjë. Dhe këtë periudhë sinqerisht po ham shumë keq. Po hamë gjëra shumë të shpejta edhe pse mundohemi të blejmë dhe mbajmë në shtëpi gjëra të shëndetshëm, sërish nuk kam kohë të gatuaj ashtu siç dua unë dhe mirë.
Në shtëpinë tuaj si janë pozicionuar rolet. Ju gruaja dhe Ermali burri, apo këto etiketa nuk ekzistojnë?
Që në fillimet e lidhjes sonë për çdo gjë, nuk e kemi parë veten në pozita të tilla. Sigurisht disa punë janë për burra dhe disa janë për gra. Pluhurat dhe dyshemetë do ti laj gjithmonë unë. Por Ermali është goxha partner konstruktiv në marrëdhënie sepse edhe gatuan, edhe bën pazar, edhe më ndihmon me rregullimin e gjërave të veta dhe hapësirës kur mundet. Gjërat nuk i kemi të ndara.
Sezonin e ri të Portokallisë, keni hequr dorë nga e zeza. Si erdhi ky ndryshim?
Njeriu ka nevojë edhe të ndryshojë. Unë pothuajse u bëra pesë vjet në ekran në të njëjtin spektakël dhe sikur e kërkoja këtë lloj ndryshimi. Është një projektim personal. Jam e vendosur që edhe për ca kohë do më duhet ti kem kështu, për hir të një ndryshimi që duhet bërë, aq më tepër kur je edhe person publik, pse jo. Kur diçka është e bukur e pëlqen edhe ndryshimin.
Veç kësaj edhe më ca kilogram më pak...
Kjo erdhi ka e kërkuar unë fare. Ka pasur periudha që unë kërkoja të isha më shumë në formë, më e dobët...Në këtë periudhë nuk është se e kam menduar por ka ardhur nga impenjimi i shumtë dhe mospasja e asnjë dite pushim.
Sa kohë i kushtoni kurimit të imazhit?
Po ta marrim me përqindje vetëm 20 përqind. Pjesa ime e kurimit të imazhit përmblidhet vetëm kur unë duhet të jap shfaqje. Kam kohë që nuk bëj trajtime, trupi, fytyre, nuk kam shumë kohë.