ERE: Pse rritem cmimin e dritave

21/12/2009 15:40

 Një ditë pas vendimit për rritje tarifash me 13 për qind, kreu i Entit Rregullator, Bujar Nepravishta, jep argumentet që rrëzuan propozimin e CEZ për shtrenjtim me 23 për qind. Sipas tij, kompania çeke ka detyrim të ulë nivelin e humbjeve, i cili vijon të jetë ende i lartë. “Niveli i lartë i humbjeve të energjisë elektrike si dhe investimet er kryera duke marrë borxh, janë argumentet kryesore që sollën rritjen e çmimit”, tha Nepravishta. Në argumentet e ERE-s theksohet fakti se “kompania OSSH po keqkupton Deklaratën Rregullatore”. Nepravishta tha dje se “nuk ka një marrëveshje të qeverisë për rritje të çmimit me 15 për qind në katër vitet e para”. Sipas deklaratës së firmosur në shkurt 2009, palët bien dakord se në rast se miratohet rritje mbi 15 për qind, atëherë efekti do të shtrihet në katër vitet e ardhshme. Por vendimi i ERE-s ishte 13 për qind, për pasojë pretendimi i CEZ rrëzohet.

Ndërkaq, vendimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike do të tkurrë të ardhurat e qytetarëve, të cilët e konsiderojnë vendimin të paarsyeshëm. Qytetarët thonë se qeveria duhet ta rishikojë çmimin pavarësisht kontratës, për shkak se fuqia ekonomike e tyre nuk mund ta përballojë këtë shtrenjtim. Konsumatorët thonë se e kanë shumë të vështirë t‘i paguajnë faturat e energjisë elektrike edhe me çmimet aktuale. Për familjet që konsumojnë deri në 300 kilovat/orë në muaj do e paguajnë energjinë me 7.7 lekë, nga 7 lekë që e kanë paguar deri më tani. Për konsumin mbi 300 kilovat/ore çmimi bëhet 13.5 lekë.