Kriza, ne rrezik pensionet e minoritareve

21/12/2009 15:38

 Pensionet e minoritarëve, si dhe emigrantët shqiptarë që punojnë në Greqi, janë dy kanalet kryesore të transferimit të mundshëm të krizës greke në ekonominë shqiptare, sipas vlerësimeve të disa ekspertëve të intervistuar nga “Shqip”.

“Unë shtroj pyetjen nëse Greqia do të vijojë të mbajë angazhimin e vet për t‘u dhënë pensione të moshuarve në zonën e Jugut”, thotë ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani.

“Shkurtimi i shpenzimeve buxhetore nga qeveria greke së pari do të prekë të paktën disa dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë, të cilët për arsye të pastra ekonomike (dhe në pak raste edhe politike), kanë pranuar të regjistrojnë një origjinë të re etnike, në mënyrë që të marrin nga Banka Bujqësore Greke një pension, i cili varion mes 250 - 480 euro në muaj. Kështu, qeveria greke do të kursente menjëherë disa dhjetëra milionë euro në muaj vetëm nga skema suplementare e pensioneve”, - thotë Alban Bala, i cili ka kryer një studim mbi gjendjen ekonomike dhe shoqërore në zonën e Jugut.

Qeveria greke nuk ka dhënë deri më sot asnjë shenjë për ulje apo anulim të këtyre pensioneve, por një hap i tillë mund të ketë pasoja katastrofike për nivelin e jetesës të të gjitha zonave të Jugut, pasi pensionet përbëjnë një fluks të konsiderueshëm valute dhe mirëqenieje në zonë.

Problemi tjetër i madh sipas ekspertëve duket se do të vijë nga rënia e pritshme e pagave dhe kostos së punës në ekonominë greke, gjë që mund të nxjerrë të papunë një pjesë të konsiderueshme të 640 mijë shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në mënyrë të përhershme apo të përkohshme në Greqi. Sipas “Financial Times”, kostoja e punës për njësi prodhimi në ekonominë greke është rritur me 40 për qind gjatë dekadës së fundit dhe zgjidhja kryesore e krizës vjen nga ulja e pagave. Shumë punë bujqësore që tani janë të disponueshme për shqiptarët mund të mos jenë më të disponueshme. Sipas Ministrisë së Bujqësisë në Shqipëri, rreth 150 mijë familje fshatare në Shqipëri sigurojnë të ardhura nga punësimi sezonal në Greqi.

“Emigrantët mund të mos sjellin më valutë apo mund të kthehen në shtëpi”, thotë Cani.

“Pjesa dërrmuese e tyre janë kryesisht nga zonat fshatare (bujqësia te ne zë me punë rreth 60 për qind të forcave të punës), dhe brenda kësaj, shumica janë emigrantë sezonalë dhe ilegalë, për shkak të mundësisë së kalimit të kufirit tokësor”, - thotë Zef Preçi, drejtues i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike.

“Fshati shqiptar mbijeton veçanërisht falë emigrimit në Greqi dhe mbyllja e këtij burimi valute do të japë pasoja tejet negative për mirëqenien e gjysmës së popullatës së Shqipërisë”, vijon Preçi.

Ulja e pritshme e pagave në Greqi mund të prekë edhe eksportet shqiptare drejt këtij vendi, kryesisht përmes skemës së përpunimit aktiv.

“Një sërë sipërmarrjesh me një pjesë ose totalin e aksioneve të shtetit grek që veprojnë në Shqipëri mund të rrudhin investimet e parashikuara ose të transferojnë sa më shumë likuiditet(në euro) është e mundur në vendet e origjinës çka mund të ketë një efekt të kundërt me atë të tregjeve botërore për kursin e këmbimit me lekun”, thotë ekonomisti Pajtim Melani.

Financat

Nga të gjitha drejtimet, Shqipëria është në varësi të jashtëzakonshme nga Greqia dhe një fatkeqësi ekonomike te fqinji ynë jugor konsiderohet në të njëjtën kohë fatkeqësi për Shqipërinë. Gjatë viteve të fundit, një pjesë jo e vogël e kredive të dhëna në Shqipëri kanë pasur burim financimi Greqinë dhe ky burim kreditimi mund të thahet.

“Vala goditëse mund të zgjerohet përtej Greqisë dhe të dëmtojë stabilitetin edhe në fqinjin tonë tjetër, Italinë”, thotë Cani.

“Rritja e rrezikut të borxhit grek mund të rrisë automatikisht edhe rrezikun e borxheve publike të të gjitha vendeve të tjera të rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë”, thotë Melani. Greqia ka qenë deri tani një garant stabiliteti ekonomik për të gjithë Ballkanin, pasi është vendi i vetëm me statusin e vendit të zhvilluar në një rajon në zhvillim.