Luftar Paja - Si e rrëmbeva gruan time

12/11/2003 00:04


Si fëmija i parë që
    isha në familje,
    babai kishte
    shpresa të mëdha
    te unë. Ai dëshironte që të martohesha sa më shpejt të ishte e mundur, sepse në fshat ishte zakon të formoje familjen herët. Më propozoi që unë të “studioja” një vajzë kooperativiste, e cila mblidhte pambuk në fushë dhe në qoftë se do të më mbushej mendja, do ndërhynin të ma bënin me shkuesi. Sigurisht, vajza nuk më hyri në sy, sepse zemra ime e kishte zgjedhur vajzën që donte. Pas shumë debatesh dhe qejfmbetjesh nga ana e prindërve, që zgjatën gati një vit, arrita ti bind. Unë kisha relativisht një kohë të gjatë që njihesha me Qamilen, bashkëshorten që kam edhe sot ndaj duheshin rregulluar punët që lidhjen ta bënim zyrtare. Familja e saj nuk ishte në dijeni. Unë kisha frikë se mos vajzës që doja do ti plandoste në shtëpi ndonjë shkues, ndaj iu drejtova personalisht vjehrrës së ardhshme, e cila për fat, ishte punonjëse e pallatit të kulturës që unë frekuentoja.
...Bleva një qeskë me qershi dhe iu drejtova nënë Xhemiles, se kështu e thërrisnim ne atë për moshën që kishte në prag të pensionit. Pasi përtypëm ca kokrra qershi duke i shijuar i them:
-Nënë Xhemile, si shumë më lëvdon ti mua, e ke me gjithë mend, apo ma bën qejfin kot?
Ajo mu përgjigj: -Lum si ajo nuse që do të marrë ty!
-Ashtu them dhe unë, po nuk kam guxim t’ia them.
-Po pse e ke gjetur? Më thuaj mua, se të ndihmoj unë.
-Ia thua, ia thua po nuk është dhe aq kollaj, janë punë me spec këto!
-Eshtë e lehtë që ç’ke me të, për djem të sërës tënde. Po ia ke vënë syrin ndonjërës, thuaj nënës ti. A po e ke këtu në pallat?
-Në pallat nuk është, por ka njerëz të saj që punojnë këtu.
-E kush na qenka këtu e s’ma thua?
Në një çast me kokrrën e qershisë në dorë gruaja nisi të mërmëriste me zë të ulët punonjësit e Pallatit të Kulturës. Befas u fikën dritat. U bë errësirë e plotë dhe atëherë morra guximin dhe i thashë tullë: -Dua vajzën tënde.
Ndryshoi menjëherë atmosfera.
-Prandaj ke ca kohë ti që më vërdallosesh, më takon dy tri herë në ditë...!
-Sa ta thonë të tjerët, më mirë ta them vetë.
- E ke gabim more djalë, vajza është akoma e vogël dhe nuk ka mbaruar ende shkollën.
- S’ka gjë! Ajo është maturante dhe unë do ta pres një vit.
-Të lutem, mos mi bjer vajzës në qafë se kam njëmijë halle unë, nuk kam vajzë për të fejuar- më turfulloi dhe nuk më dha as dorën kur iku.

Rrëmbimi i nuses
E dashura më qortoi se isha nxituar duke ia deklamuar dashurinë së ëmës, ndërkohë që babai im më nxiste nga ana tjetër, ë arrinim objektivin që kish ai, të fejohesha me vajzën kooperativiste të cilën kishte zgjedhur për mua. Bashkë me djalin  hallës sime, vendosëm t’i bënim një ftesë babait tim, të dilnim për një xhiro në Patos. Plani ishte paramenduar nga ana ime, që Qamileja të kalonte para nesh si rastësisht. Në çastin që kaloi, djali i hallës iu drejtua babait: “Si të duket kjo vajza?”. Babai ndali këmbët dhe mu drejtuar mua: Ah qafirë! Prandaj më thirrët këtu në Patos ju. Paskeni pasur plane të fshehta. Si vajzë duket e mirë, por qenka pak si ezmere”. “Po edhe ne nuk jemi shumë të bardhë”: ia preu djali i hallës. Edhe babai sikurse vjehrra na e u drejtua me ton: Mos u nxitoni! Duhet pyetur mirë për familjen, gruaja është për jetë, nuk është plaçkë tregu. Ehu sa kritere duhet të përmbushë!”
...Pas shumë debatesh e konsultimesh arritëm në konsensus se e fejuara duhet të mbaronte vitin e fundit të gjimnazit dhe unë dhashë fjalën e burrit që do ta prisja. Një pritje jo pak e lehtë sepse patëm një konflikt që lindi nga vëllai i të fejuarës, pasi ai nuk donte që motra të fejohej me një djalë që banonte në fshat. U acaruan marrëdhëniet në mënyrë të atillë sa unë u detyrova ta rrëmbeja pa dasmë dhe ta bëja gjithçka fakt të kryer. Kështu vendosa ta rrëmbeja dhe shkova të dajo në Elbasan. Dajua morri të gjitha masat sepse edhe nga gjendja ekomomike isha pak hollshëm. Ai ishte oficer dhe më bëri dhëndër me kostumin e tij, kishim të njëjtin trup. E kompletuam nusen me të gjitha veshjet dhe pajën që i takonte dhe pas 11 ditësh hapëm dasmën në fshat se nuk donim ti ulnim autoritetin. Më e bukur ishte se në atë ceremoni që organizuam në Gorishovë, mori pjesë motra e nuses, kunata me gjithë burrin, ata nuk ishin dakord me mendimet e të vëllait. Dasma kaloi për bukuri. U poq mish në hell, rakia u derdh lumë dhe këngët e vallet zgjatën për disa net me radhë. Për disa vite me radhë nuk komunikonim me kunatin, se me vjehrrën dhe njerëzit e tjerë hynim e dilnim. Pas shumë kohësh u pajtuam.