Mesuesit e gjimnazit: Me master, gjuhë te huaj e kompjuter

20/12/2009 14:36

 Kritere të forta do të vendosen për mësuesit që duan të ruajnë vendin e punës në vitin 2013. Nëse punonjësit në arsimin parauniversitar nuk do të zotërojnë të paktën një gjuhë të huaj, nuk kanë njohuri bazë të programeve kryesore të kompjuterit dhe njëkohësisht nuk kanë master, rrezikojnë të humbasin vendin e punës. Kërkesat që duhet të përmbushin mësuesit e shkollave të mesme në vitin 2013 do të jenë të forta, sipas kritereve që do të miratohen nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës.

Në javën e parë të punës, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ka sqaruar se në arsimimin e mesëm në vitin 2013 nuk do të mund të ushtrojnë profesionin ata që nuk kanë master, nuk dinë një gjuhë të huaj dhe kompjuterin. Gjatë një takimi me drejtorët e drejtorive arsimore në të gjithë Shqipërinë, ministri i Arsimit ka bërë një deklaratë ambicioze, që sipas tij do të jetë një nga objektivat kryesore të arsimit të qeverisë “Berisha 2″.

Kjo do të thotë se brenda më pak se katër viteve të gjithë mësuesit që kanë në plan të qëndrojnë në punë, duhet të marrin masa për të nisur nga kurset e gjuhëve të huaja, nga programet e masterit apo trajtimet lidhur me programet bazë kompjuterike.