Probleme me regjistrin e kredive? Ankohu!

21/12/2009 15:44

 Duke marrë parasysh problemet e krijuara nga të dhënat që bankat raportojnë te regjistri i kredive, Banka e Shqipërisë miratoi një rregullore të re në korrik të këtij viti, duke i hapur mundësinë çdo klienti banke që e ka emrin te regjistri, të kërkojë një raport dhe të ankohet në rast se vëren pasaktësi në të. Kërkesa për të marrë një raport bëhet përkundrejt pagesës prej 500 lekësh dhe BSH merr përsipër të përgjigjet brenda një dite.

“Në çdo rast që kredimarrësi nuk është dakord me të dhënat që përmban raporti i kredimarrësit, ka të drejtë t‘i drejtohet Bankës së Shqipërisë, për të kërkuar verifikimin/rishikimin e të dhënave/informacionit që ekziston për të në Regjistrin e Kredive dhe për të kryer ndryshimet e nevojshme. Kjo kërkesë mund të paraqitet nga vetë kredimarrësi ose nga një person tjetër, i autorizuar me shkrim prej tij”, thuhet në rregulloren e re. Bankat kanë detyrimin të rishikojnë të dhënat për klientin që ankohen brenda pesë ditësh. Por rregullorja nuk përmban ndonjë penalizim për bankën, në rast se klientit i shkaktohen shqetësime apo probleme.