Rriten cmimet e ushqimeve

21/12/2009 15:37

 Të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë mbi çmimet javore të produkteve bujqësore tregojnë rritje nga java në javë për këto produkte. Në tregjet e shitjes me shumicë në vend, pjesa më e madhe e prodhimeve bujqësore të importit dhe vendas kanë pasur rritje çmimi, rritje që është pasqyruar edhe në tregun e shitjeve me pakicë.

Krahasuar me një javë më parë, nga 37 artikuj që gjenden në treg, për 21 prej tyre ka rritje çmimi. Në tregjet e pakicës, rritja për artikujt bujqësore ka varijuar nga 1-30 lek/kg.

Kështu, rritje çmimi kanë speci, patëllxhani, trangulli, kungulli etj. Ndërkaq, rritje ka pësuar edhe çmimi i disa frutave si ftoi, molla, hurma etj., nga 3-28 lek/kg. Për sa u përket çmimeve të prodhimit në ferma, nga 12 artikuj të krahasueshëm, 8 prej tyre kanë rritje çmimi si: trangulli me 17 lek/kg, domatja cilësi e dytë me 5 lek/kg, spinaqi me 4 lek/kg etj. Ndërsa nga frutat e prodhuara në fermë, molla e gështenja kanë rritje me 5 lek/kg, ndërsa hurma ka rritje çmimi me 1 lek/kg. Rritja e çmimit ka prekur jo vetëm prodhimet e importit, por edhe produktet vendase, të cilat gjenden me pakicë në treg.

Taksimi i ushqimeve

Sipas ekspertëve, taksimi i ushqimeve dhe produkteve të tjera bujqësore të importuara është një nga zërat më të rëndësishëm të të ardhurave për buxhetin e shtetit, pasi taksat dhe tatimet në total në këtë kategori mallrash arrijnë në 30-35 për qind. Te mallrat e tjerë, taksat nuk janë kaq të larta.