Shqiperia ka buxhetin me te vogel ne Europe

21/12/2009 15:48

 Shqipëria ka shtetin me buxhetin më të vogël në Europë në rast se krahasohen shpenzimet publike me Prodhimin e Brendshëm Bruto, bëhet e ditur nga statistikat e grumbulluara nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Shpenzimet totale të buxhetit të shtetit në vitin e kaluar qenë sa 27.4 për qind e PBB-së, ndërkohë që mesatarja e rajonit të Ballkanit ishte 38.1 për qind e PBB-së. Kjo statistikë tregon dobësinë e qeverisë në grumbullimin e taksave, si dhe aftësinë e paktë investuese në sektorë të tillë si arsimi dhe shëndetësia, të cilat konsiderohen si parakusht për zhvillimin e së ardhmes. Shumë shpesh zyrtarë të arsimit, të shëndetësisë apo sektorë të tjerë ankohen për mungesën e fondeve dhe thonë se “Shqipëria ka nivelin më të ulët të shpenzimeve në këtë fushë në Europë”, por në fakt, Shqipëria ka nivelin më të ulët të shpenzimeve publike në gjithçka. Shqipëria nuk ka krahasim në Europë për këtë tregues, ndërsa ka “konkurrentë” vende si Armenia në Azinë Qendrore.

Sipas vlerësimeve të BERZH shpenzimet e qeverisë në vitin 2008, qenë 27 për qind të PBB-së, por sipas qeverisë shqiptare, shpenzimet qenë 32.4 për qind të PBB-së. Shkak për këtë mospërputhje është fryrja Produktit të Brendshëm Bruto dhe të dhënave të buxhetit të shtetit nga qeveria shqiptare.