Berisha lobon për njohjen e Kosovës në Danimarkë

 Shqipëria vazhdon lobingun për njohjen e shtetit të Kosovës. Kryeministri Berisha ka shfrytëzuar samitin e Kopenhagenit për ndryshimet klimaterike, për t’u takuar me liderë nga vende të ndryshme të botës për të kërkuar mbështetjen e këtyre shteteve për njohjen e pavarësisë së shtetit më të ri në Europë. Kreu i ekzekutivit shqiptar ka marrë premtimin për shqyrtimin me përparësi të rastit të Kosovës nga vendet, të cilat nuk e kanë ndërmarrë ende këtë hap.

Berisha “Këtu një qëllim më madhor është që të loboj për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Fatmirësisht, në këtë aktivitet është shumë e lartë pjesëmarrja nga të gjitha kontinentet. Takova Presidentë dhe Kryeministra nga katërmbëdhjetë vendeve të Afrikës dhe Azisë, takova Presidentin e Indonezisë, atë të Gaborit, të Kiribatit, të Izraelit, Kryeministrat e Mongolisë, Gambias, Tajlandës, Marokut, Trinidadit, si dhe një seri kryetarësh shtetesh dhe Kryeministrash të tjerë. Jam përpjekur në të gjitha këto raste të paraqes çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës si një kontribut real të këtyre vendeve për stabilitetin dhe paqen në rajonin tonë. Mund të them me përgjegjësi të plotë se situate nga shtatori, kur u zhvillua Samiti i OKB e deri më sot, për Kosovën është shumë më e favorshme.”
Kryeministri Berisha është shprehur optimist se shume shpejt do të ketë njohje të reja për shtetin e ri të Kosovës.

“Përfaqësues të këtyre vendeve që më siguruan se ata janë të gatshëm të vendosin menjëherë kontaktet me autoritetet më të larta të Kosovës, pati të tjerë të cilët më thanë se ata do ta shqyrtonin dosjen sapo të ktheheshin në vendet e tyre, dhe ky ishte një zhvillim pozitiv, nga shatori në dhjetor unë e gjej çështjen pavarësisë së Kosovës në një zhvillim më të madh pozitiv.”
Gjatë qendrimit të tij në Danimarkë, kryeministri Berisha është takuar edhe me kryeministrin e Maqedonisë, presidentin e Kroacisë, Kryeministren e Islandës dhe shumë personalitete të tjera, me të cilët ka biseduar për zhvillimet në Shqipëri, projektin madhor të integrimit të vendit në BE, zhvillimin ekonomik, si dhe bashkëpunimin e ndërsjellë mes vendeve mike.
Mbretëresha e Danimarkës Margarett 2 ka organizuar një darkë për nder të krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve pjesëmarrëse në samitin për klimën në Kopenhagen. I pranishëm në këtë darkë kreu i ekzekutivit Berisha ka shfrytëzuar rastin për të bashkëbiseduar me liderët botërorë të pranishëm në darkën mbretërore për të biseduar për përpjekjet e Shqipërisë për të përballuar pasojat e ndryshimit të klimës dhe vendosmërinë e qeverisë shqiptare për zhvillimin e të gjithë potencialeve të saj për energji të rinovueshme. Berisha i ka njohur gjithashtu dhe me zhvillimin ekonomik që po njeh vendi ynë ndërsa i ka bërë ftesë Presidentit Francez, Kancelares gjermane, Sekretares Amerikane të Shtetit si dhe disa krerëve të qeverive europiane për të vizituar Shqipërinë, ftesë që ka marrë përgjigje pozitive nga këta të fundit.

Kryeministri Berisha takon Barack Obamën
 
Në ditën e dytë të pjesëmarrjes së tij në Samitin për Ndryshimin e Klimës në Danimarkë, Kryeministri Berisha pati një takim gjatë drekës me Presidentin e Shteteve të Bashkuara z. Barack Obama. Gjithashtu, Kryeministri është takuar edhe me Sekretaren e Shtetit znj. Hilary Klinton. “Pata rastin të takohem shkurtimisht dhe të bisedoj shkurtimisht, por shumë përzemërsisht me Presidentin Obama, i cili tregoi një interes të gjallë për Shqipërinë. Unë iu përgjigja interesit të tij se të gjithë shqiptarët po presin ngjarjen e premtuar, vizitën e Presidentit Obama në Shqipëri. Presidenti Obama m’u përgjigj me shumë kënaqësi se “It will happen”, do të ndodhë dhe unë, tha z. Obama, do të vij. theksoi Berisha” Po ashtu, gjatë drekës takova përsëri Sekretaren Amerikane të Shtetit znj. Hilary Klinton, me të cilën shkëmbyem jo vetëm përshëndetje, por edhe mendime të përzemërta. Sekretarja e Shtetit, Klinton sërish më premtoi se do të vizitojë Shqipërinë”.