Berisha: Suksesi biznesit, shembull i shmangies së krizës

 Nga ambientet e “City Park”, qendra më e re tregtare dhe argëtuese në Tiranë, kryeministri Berisha ka përcjellë dhe një herë mesazhin se investime të këtyre përmasave garantohen falë reformave të thella dhe politikave fiskale të ndërmarra nga qeveria. Në ceremoninë e inagurimit të kësaj qendre tregtare, ndër më të mëdhatë në rajon, zoti Berisha e cilësoi hapjen e saj si një kartolinë që AM Grup bën për shqiptarët me rastin e festave të fundivitit.

Berisha “Dua të theksoj se janë politikat fiskale dhe reformat e thella ekonomike që qeveria shqiptare ka ndërmarrë dhe ndërmerr, të cilat garantojnë suksesin e vërtetë të investimeve të tilla. Ekonomia shqiptare qendron në këto vite, në një cunami të vërtetë financiar dhe ekonomik për Europën dhe botën. Ajo qëndroi jo se ishte e izoluar, jo se ishte e centralizuar, por qendroi sepse ishte e mbështetur në parimet më të shëndosha për tregun: me taksa të ulëta, investime të mëdha, administratë të vogël. “City Park” është dëshmi e suksesit të kësaj ekonomie, dëshmi e suksesit të këtyre reformave.”
Për Arjan Menen, përfaqësues i AM Grup, dhe kjo është faza e parë e këtij investimi që deri më tani kap një shifër rreth 80 milionë euro, ku janë punësuar dy mijë punonjës. Kjo sipërmarrje, një ndër më të mëdhatë në rajon për aksionerët e CITY Park synon të shkojë në 210 milionë euro.
Mene “Ne jemi ndryshe sepse qendra tregtare ka përmasat më të mëdha në Ballkan, sepse ne kujdesemi për detajet në çdo fushë të menaxhimit. Kjo është vetëm faza e parë e investimit tonë”.
Gjatë ceremonisë së inagurimit të qendrës tregtare dhe argëtuese “City Park”, kryeministri Berisha ndërsa vizitoi të gjitha pavionet që reklamonin markat më prestigjoze botërore, ftoi qytetarët dhe në veçanti lidershipin socialist që të njiheshin më nga afër me atë që ai e cilësoi realitet i ri në ekonominë shqiptare.
Berisha “Ftoj qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë të vizitojnë “City Park”. Ftoj edhe ndonjërin që ëndrrat e natës i merr për realitetin e ditës të vijë këtu, të pijë ndonjë kafe dhe të shohë që kriza është thjesht një ëndërr e keqe nate, sepse ditën Shqipëria vetëm zhvillohet, inauguron qendra të tilla të fuqishme, thith investime të huaja.” 
Qendra tregtare dhe argetuese “City Park”, një investim i AM Grup dhe Tirana Bank ka në brendësi të saj marka të njohura në botëe jo vetëm në fushën e veshjeve, apo ato të pajisjeve elektro- shtëpiake, por ofron në mënyrë të veçantë dhe ambiente argëtuese për fëmijë e të rinj.