Diskriminimi gjinor, gratë s’njohin të drejtat e tyre

 Tiranë, 18 dhjetor NOA - Gratë shqiptare denoncojnë vetëm dhunën në familje ndërsa diskriminimi gjinor nuk njihet pothuajse fare si një shkelje e së drejtës së tyre.

Kjo mosnjohje fillon që nga individi i thjeshtë e deri tek gjykatat e prokuroritë. Drejtoresha e drejtorisë për barazinë gjinore në ministrinë e Punës, Ana Xheka shpjegon mundësitë që ka çdo grua të vendosë të drejtën e saj nëse diskriminohet.

“Ajo që vëmë re është një lloj skepticizmi që ka individi i thjeshtë për të ankimuar pranë organit të gjykatës apo prokurorisë diskriminimin që mund t’i bëhet. Pak kush e di prej tyre se ekziston një kushtetutë e cila tashmë është përfshirë në legjislacionin  shqiptar dhe që nëse vërtetohet për këtë ka  dhe sanksione sipas  ligjit”, thotë drejtoresha Xheka.

Ministria e Punës ka përgatitur një manual për të ndërgjegjësuar jo vetëm gratë por çdo institucion publik në lidhje me ekzistencën e tij.

Manuali i ri për interpretimin e kushtetutës së grave e cila ka 16 vjet që është ratifikuar nga parlamenti shqiptar do të shpërndahet në të gjithë vendin, në administratë e institucione publike.

Në 30 vjetorin e firmosjes së konventës së gruas në botë, Shqipëria ndonëse duket se ka progres në përfaqësimin e gruas në jetën publike, sërish në vendimmarrje lë për të dëshiruar me vetëm 14 për qind e grave.

Xheka thotë se shifra të kënaqshme duken në parlament ku gratë janë të përfaqësuara në nivelin e 16 për qindshit, nga 7.1 për qind që ishte në legjislacionin e shkuar si dhe në përfaqësimin e trupit diplomati në botë ku 31 për qind e punonjëseve janë gra