Rama: Vendimi i Berishës për biznesin e vogël, asnjë lehtësim

Rama: Vendimi i Berishës për biznesin e vogël, asnjë lehtësim

Kreu i bashkisë së Tiranës,Edi Rama në takimin e bashkiakëve socialistë duke folur për vendimin e djeshëm të kryeministrit Berisha se bizneset me xhiro vjetore deri në 8 milionë lekë do klasifikohen biznes i vogël tha se ky vendim nuk sjell asnjë lehtësim. "Nuk ka lehtësim, por zbrapsje të Sali Berishës përballë kërkesës që të ardhurat nga ky biznes të mos shkojnë në arkën e shtetit, por të bashkive e komunave. Mbetja në fuqi e regjimit të TVSH-së për biznese me xhiro vjetore mbi 5 milionë lekë mbetet një problem shumë i madh", theksoi ai. Sipas Ramës, ky vendim plotëson gjysmën e njërës nga 5 kushtet e vëna nga bashkitë socialiste. Kryebashkiaku Rama i ka kërkuar kryeministrit Berisha që të depozitohen në bashki të ardhurat nga legalizimet. Kreu i bashkisë së Tiranës në fjalën e tij në në takimin e bashkiakeve socialistë tha se Shoqata për Autonominë Vendore është zëri i atyre që duan që autonomia të dëgjohet. "Ne kemi barrën të mbrojmë edhe pikapamjet e kolegëve tonë demokratë që e kanë të pamundur të flasin me zë të lartë për shkak të qeverisë", tha ai. Sipas Ramës , shoqata ka zgjidhur një sërë çëshjesh. Ai theksoi se me ardhjen e Berishës në pushtet, shoqata e u përça. "Megjithatë shoqata do vijojë betejën për autonominë vendore", theksoi ai. Kreu i bashkisë së Tiranës pohoi se autonomia po shkelet njësoj si Kushtetuta ndaj ftoi të gjithë kryebashkiakët të mbrojnë atë.