Legalizimi me bono privatizimi, mashtrim

21/12/2009 15:40

 Kanë kaluar rreth një muaj e gjysmë nga hyrja në fuqi e ligjit të ri për legalizimet dhe asnjë ent shtetëror nuk e ka vënë në zbatim procedurën e përdorimit të letrave me vlerë. Tjetër fakt turbullues është masa e përdorimit, ku në fillim u tha 80 për qind, ndërsa në ligjin e ri u bë deri në 50 për qind. Askush nuk është në gjendje të japë shpjegime rreth ndryshimeve të orës së fundit në ligj dhe më e habitshmja, nuk pranojnë të japin sqarime se pse nuk futet në zbatim. Shumë familje blenë letra me vlerë fill pas deklaratës së Kryeministrit Sali Berisha për përdorimin e tyre deri në masën 80 për qind. Vlera e bonove pësoi rritje gati trefish për shkak të kërkesës së lartë, ndërsa sot interesi është ulur në minimum, pasi panë të zhgënjyer mashtrimin me ligjin e ri. Numri dy i ALUIZNI-t, Ferdinand Shehu, nuk jep shumë detaje dhe nën zë thotë se “shumë shpejt do të nisë pranimi i letrave me vlerë”. Nuk ka një afat se kur do të nisë përdorimi i bonove, duke e futur procesin e legalizimeve në një situatë të pashpjegueshme.

Premtimi

Në korrik të këtij viti, në një mbledhje qeverie, Berisha deklaroi miratimin e projektligjit për legalizimin e ndërtimeve pa leje, me anë të bonove të privatizimit, deri në masën 80 për qind. “Pas një analize shumë serioze të juristëve, vendosëm që 80 për qind të vlerës të së gjithë sipërfaqes në përputhje me ligjin do të paguhet me letra me vlerë”, tha Kryeministri Berisha. Sipas tij, nëse një personi i takon të legalizojë banesën prej 300 metrash katrorë, pagesa kryhet 80 për qind në letra me vlerë, ndërsa për sipërfaqe mbi 300 metra, përdorimi shkon 50 për qind dhe me vlerën e tregut. Deklarata e kreut të qeverisë shkaktoi reagime në tregun e letrave me vlerë, pasi individët u dyndën për të blerë sa më shumë. Fluksi solli vlerësim të bonove, nga 9 për qind, deri në 25 për qind. Projektligji i miratuar në qeveri duhet të kalonte edhe në Kuvend. Pikërisht këtu ndodh lëvizja e fshehtë dhe madje në orë të vona të mbrëmjes, para votimit final me 71 vota. Varianti i ndryshuar lejonte përdorimin e bonove deri në 50 për qind dhe vetëm për sipërfaqet mbi 300 metra katrorë. Pra, deputetët ose votuan kundër premtimit të Kryeministrit, ose Berisha ndërroi mendje pasi mori konfirmimin e mandatit të dytë qeverisës. Për këtë çështje askush nuk pranon të flasë, ndërsa ALUIZNI dhe Ministria e Financave mbajnë peng zbatimin e ligjit. Tjetër problem është zbatimi i ligjit. Individët edhe pse u mashtruan, të paktën ngushëllohen me përdorimin 50 për qind, që po vonon mbi një muaj. Afatet e vendosura thonë se përdorimi i bonove zgjat tre muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit. Tashmë një muaj e gjysmë kaloi dhe shpresa mbetet për pjesën e mbetur të afatit që skadon në janar.