PS, proteste para Parlamentit

20/12/2009 15:07

 Ditën e hënë, Partia Socialiste do të protestojë para Parlamentit për hapjen e kutive dhe krizën ekonomike duke u larguar këtë herë nga protesta në rrugë. Me tubimin në kryeqytet më 21 dhjetor, socialistët i japin fund turit njëjavor në disa qytete të vendit për të pushuar vetëm në ditët e festave e për t‘iu rikthyer sërish atyre në fillim të muajit janar.

Për herë të tretë në kryeqytet në harkun kohor të dy muajve, selia rozë heq dorë nga mitingjet para Kryeministrisë, duke iu drejtuar këtë herë Parlamentit, si një ndër institucionet që nuk kanë legjitimitetin e duhur për të funksionuar. PS u bëri thirrje dje qytetarëve që të marrin pjesë në këtë protestë, jo vetëm për hapjen e kutisë si një normë bazë e themeltare e demokracisë, por edhe për rritjen e çmimit të energjisë, taksës së biznesit të vogël që e klasifikon si të madh, pagat, pensionet etj.

Ndërsa dje, kreu socialist u ndal në një takim në Kongresin e PBDNJ-së për të vijuar pasdite me protestën në qytetin e Lezhës e më pas në Shkodër. Dita e sotme do të jetë një karikim për marrjen e forcave për tubimin e ditës së hënë. Kreu socialist, Edi Rama, në përshëndetjen e tij para anëtarëve të PBDNJ në kongresin e jashtëzakonshëm vuri theksin te nevojë e zbardhjes së korrupsionit elektoral, pasi ai është burimi i gjithë lumit të korrupsionit. “Nga ai korrupsion buron i gjithë lumi i korrupsionit që shtrihet e degëzohet pastaj në të gjithë jetën e vendit. Pa mbaruar korrupsioni elektoral dhe pa e mbyllur llogarinë me korrupsionin elektoral ne do të jemi përballë prurjeve përditë e më të papërmbajtshme të korrupsionit qeveritar pavarësisht se kush qeveris. Të jeni shumë të qartë në këtë pikë, sepse kjo është një histori që vazhdon me uljet e me ngritjet e veta, por në të gjitha këto 19 vjet historia elektorale është përsëritur po njësoj. Kjo histori duhet të marrë fund”, tha ai.

Protesta në Lezhë dhe Shkodër

Në tubimet e mbajtura në qytetin e Lezhës dhe Shkodrës, Rama shprehur vendosmërinë për të mos hequr dorë nga protestat deri në largimin e Berishës një shenjë tjetër kjo që tregon se PS pranon që të negociojë vetëm nëse Berisha hap kutitë. Rama i mëshoi dialogut në kushte të barabarta. “Ne nuk vëmë kushte, po themi që dialogu duhet të jetë i barabartë, i drejtë dhe jo një mjet i pushtetit sa për të kaluar radhën. Nëse duan dialog, duhet të krijojnë kushte për dialog dhe jo vetëm për ta kthyer opozitën në Parlament. Nuk ka opozitë në Parlament pa transparencën e 28 qershorit”, tha Rama. Më tej, Rama u ndal te çështjet sociale që shqetësojnë qytetarët.

“Në vend të presim festat për t‘i kaluar me familjet tona 540 mijë pensionistë presin me pikëllim janarin kur do u hyjë në derë fatura e re e energjisë. Berisha, sot ua ka bërë zero rritjen e pensionit me rritjen e kostos së jetesës. Ndaj ne i themi pinokut Kryeministër hap kutitë ose largohu. Ne e kemi parë se si ka dalë para jush duke u thënë mos i dëgjoni ministrat e mi, mos dëgjoni për rritjen e çmimit të energjisë se sa të keni Sali Berishën nuk rritet çmimi i energjisë. Mos harroni këtë e tha dje para zgjedhjeve. Ne i themi këtij pinoku hap kutitë ose largohu”, tha Rama. Sipas Ramës, Berisha ka mashtruar edhe kompanisë që privatizoi OSSH-në

Në lidhje me krizën ekonomike, Rama e vuri theksin te paralajmërimet e opozitës e mandej të FMN-së, kambana që Berisha nuk dëshiroi t‘i dëgjonte. “Përderisa kutitë nuk hapen ne do protestojmë që mos lejojmë që Shqipëria të mos bjerë në greminë duke kërkuar largimin e Sali Berishës, duke protestuar në të gjithë Shqipërinë”, tha ai. Sipas Ramës, viti 2009 u mbyll si s‘ka më keq dhe si s‘ka më keq do nisë edhe 2010. “Zhvlerësimi i lekut ka nisur dhe do vazhdojë edhe në 2010. Shqiptarët do përballen gjithnjë e më shumë me fatura të larta për të gjitha shërbimet që u duhen. E dini çfarë thotë eurostati për fuqinë e blerjes në Shqipëri. Më e ulët se shumë vende, por më e ulët se edhe vetë Bosnjës, dhe kjo për hir të interesave klanore të familjes së Kryeministrit dhe oborrit të tij”, vijoi Rama duke lëshuar një tjetër mesazh. “Unë i them pinokut Kryeministër ose largohu Sali Berisha, sepse këtë krizë e solle ti dhe nuk do e paguajë një popull i tërë. Shqiptarëve nuk u duhet një ekonomi i orientuar nga babëzia për pushtet, por një ekonomi punësimi. Shqiptarëve u duhet një ekonomi që favorizon sipërmarrjen ndaj në përsërit: Hap kutitë ose largohu Berisha, sepse nuk mund t‘i mbash të mbyllura ato kuti me forcë”.