Universitetet, edhe 1 mije vende bosh

20/12/2009 14:33

 Agjencia e Pranimit të Rezultateve në Institucionet e Arsimit të Lartë ka shpërndarë dje në të gjitha drejtoritë arsimore rajonale formularin A4. Pas mbylljes së regjistrimeve për fituesit e fazës së tretë në universitetet në të gjithë vendin, sekretaritë e fakulteteve kanë njoftuar se ka ende vende të paplotësuara. Sipas APRIAL, janë 936 kuota të parealizuara, si pasojë e mosregjistrimit të fituesve në fazën e tretë ose spostimeve nga një degë në tjetrën. Nga këto kuota nuk do të përfitojë më asnjë nga ata të cilët janë shpallur fitues në një degë, por kanë preferenca të tjera. Nga vendet e lira do të përfitojnë vetëm ata maturantë që nuk janë shpallur fitues në asnjë nga degët ku kanë konkurruar.

Regjistrimet
“Sipas udhëzimit, maturantët do të kenë mundësi ta tërheqin formularin pranë drejtorive arsimore, ta plotësojnë dhe ta dorëzojnë atë deri në datën 26 nëntor”, sqaroi drejtori i APRIAL, Frederik Shalsi. Sipas tij, pas mbylljes së regjistrimeve, në Agjencinë e Pranimeve do të punohet për mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave në datën 27, 28, 29 nëntor. Fituesit e fazës së katërt do të shpallen në datën 1 dhjetor.
Plotësimi i formularit
Formulari A4 do të plotësohet njësoj si formulari A3.
Mbrapa formularit, APRIAL ka sqaruar të gjitha hapat që duhen ndjekur për të bërë një plotësim të saktë dhe pa gabime. Ndërkohë që çdo maturant duhet të shohë me kujdes pikët e fituesit të fundit. Ata që nuk kanë fituar deri tani asnjë të drejtë studimi, të mbajnë parasysh edhe kontrollin e pikëve që kanë marrë, duke bërë baraspeshimin me pikët e fituesve të fundit në fazat paraardhëse. Agjencia e Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë (APRIAL) do të shpallë listën përfundimtare të kandidatëve fitues të ndarë sipas programeve të studimit përkatës, të renditur, sipas rendit zbritës të pikëve dhe të preferencës më të lartë të kërkuar prej tyre në formularin A4, në përputhje me kuotat e rishpërndara.