Fqinjët, pa viza në BE. Si e komentuan BBC, DW, VOA

Fqinjët, pa viza në BE. Si e komentuan BBC, DW, VOA

Si u paraqit lajmi i liberalizimit te vizave per Maqedonine, Serbine dhe Malin e Zi ne disa media nderkombetare qe kane fokusim ne Ballkan dhe dege ne gjuhen shqipe.


1
- Radio gjermane DEUTCHE WELLE

Serbë, malazezë e maqedonas pa viza në BE

Disa donin ta shijonin lirinë e lëvizjes qysh në ditën e parë për të vizituar Gjermaninë. Policët e kufirit në aeroportin e Mynihut nuk kërkojnë të shohin më vizën. Ata duan të dinë se ku do të jetosh e sa para ke.

Është ora tetë e mbrëmjes. Avioni i Lufthansës nga Beogradi ka mbërritur me dy orë vonesë në aeroportin e Mynihut, por në fytyrën e Zoran Klenoviçit nuk ka shenja lodhjeje. Serbi tund i gëzuar pasaportën dhe deklaron në një gjermanishte me theks zviceran:

"Kam 18 vjet që po e pres këtë ditë. Thjesht të udhëtosh si dikur, me pasaportat e kuqe të Titos. Tani kemi sërish pasaporta të kuqe. 18 vjet mjaft janë, apo jo?"

Zoran Klenoviç është njëri nga afro dhjetë milionë shtetasit e Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonië, që këtej e tutje do të udhëtojnë pa viza në hapësirën Shengen. Disa nga pasagjerët, që mbërritën në Mynihu në ditën e parë të heqjes së vizave, nuk e kishin besuar këtë:

"Shkova në konsullatë dhe mora vizën, për të qenë e sigurt!", thotë një grua e moshuar, që ka ardhur të vizitojë të bijën në Gjermani.

"Ja ku i kam të gjitha dokumentet, garancinë, sigurimin, gjithçka."

Winfrid Winterer në pikën e kontrollit policor nuk pyet më për garanci apo sigurim. Ai skanon pasaportat biometrike, i krahason ato me modelin që ka të memorizuar në kompjuter dhe shtron disa pyetje. Disa nga pasagjerët e njohin procedurën:

"Keni rezervuar hotel?" pyet ai.

Një turiste tregon laptopin e hapur, ku ka memorizuar vërtetimin e rezervimit.

"Epokë e re, teknologji e re. Më parë ishte në letër, tani në laptop", komenton polici 39 vjeçar.

"Në bazë të kodit kufitar të Shengenit, pasagjerët duhet të tregojnë përse kanë ardhur. Në se nuk janë tek të afërmit, atëherë ata duhet të japin adresën e hotelit. Në rast të kundërt duhet të tregojnë se kanë para të mjaftueshme me vete. Për Gjermaninë është caktuar një shumë prej 45 eurosh në ditë, pra në se dikush qendron 10 ditë, atëherë ai duhet të ketë të paktën 450 Euro."

Një serb i ri i afrohet sportelit. Ai nuk di as anglisht, e as gjermanisht. Një bashkëkombase e vet i vjen në ndihmë për të përkthyer pyetjet e policit.

"Ka ardhur të rrijë disa ditë në Gjermani, do të banojë në hotel. 3000 Euro i ka me vete. Por biletë kthimi nuk ka."

Winterer rrudh ballin dhe pyet se ç'punë bën ai Serbi.

"Deri tani ka studiuar, por ngeli në një provim dhe e humbi shkollën, tani është i papunë", përkthen gruaja.

Winterer shikon me dyshim. Ora po shkon afër 22:00 dhe së shpejti përfundon turni. Vendos vulën e hyrjes.

"I thuaj që nuk jemi aq të këqinj sa ç'mendojnë ata", i thotë serbi bashkëkombases së vet dhe humbet në turmën e njerëzve që presin bagazhet.


2
Radio EUROPA E LIRË

Në Maqedoni festohet heqja e vizave

Në mesnatë, u hoq regjimi i vizave për qytetarët e Maqedonisë, që duan të udhëtojnë në shtetet e zonës Shengen.

Me këtë rast, në Shkup janë mbajtur manifestime të shumta në kuadër të së ashtuquajturës "Nata e bardhë", ndërsa Qeveria ka organizuar shëtitje njëditëshe në Paris për njëqind qytetarë, të shoqëruar nga studentët më të mirë dhe një grup i gazetarëve të mediave vendore.

Autoritetet shtetërore thonë se heqja e regjimit të vizave është një e arritur e madhe për Maqedoninë, pasi përfitimet do të jenë të mëdha në të gjitha sferat.

"Përfitojmë absolutisht shumë më shumë, sepse ekonomia jonë hapet, arsimi ynë hapet e të mos flasim për turizmin, për mbrojtjen shëndetësore, për kulturën, të cilat deri tani kanë qenë në një izolim total, për shkak të ekzistimit restriktiv të vizave".

"Tani kemi mundësi që shumë më intensivisht të përfshihemi në rrjedhat evropiane të ekonomisë, shëndetësisë dhe arsimit", deklaron Dimitar Mirçev, këshilltar për çështje evropiane i presidentit Gjorgje Ivanov.

Ndërkohë, nga agjencitë turistike thonë se interesimi i qytetarëve për të udhëtuar jashtë vendit është në rritje e sipër, tani pas heqjes së vizave.

"Interesimi është vazhdimisht në rritje për të udhëtuar jashtë shtetit, kuptohet duke i plotësuar kushtet e nevojshme për udhëtim".

"Ne, si agjenci, kemi marrë masat dhe jemi përgatitur me oferta të ndryshme për festat e Krishtlindjeve dhe festat e Vitit të Ri. Kemi një ofertë të gjerë", thotë Bunjamin Durmishi, punonjës turistik.

Përkundër kësaj, ekspertët nuk presin që të ketë largim të madh të qytetarëve të Maqedonisë, ashtu siç ndodhi me Rumaninë dhe Bullgarinë.

"Në shtetet perëndimore kërkohen njerëz profesionistë në shkencat kompjuterike. Prandaj, edhe nëse hapet tema e, siç thuhet, 'ikjes së trurit', megjithatë, elita do të qëndrojë në vend", thotë profesori i ekonomisë, Abdylmenaf Sejdini, për të shtuar:

"Unë nuk pres që të ketë ndonjë emigrim në numër të madh. Do të ketë emigrim sezonal edhe atë informal, që i njëjti emigrim sezonal ose informal na bie dërgesa apo remitenca, e që është pozitive për ekonominë".

"Nga aspekti i 'ikjes së trurit', edhe në atë aspekt nuk presim shumë, sepse fuqia e mirëfilltë punëtore kthehet pas një kohe të caktuar. Mund të ketë një emigrim afatshkurtër dhe ata kthehen, por parakushti është që këtu brenda shtetit të krijojmë kushte", shprehet Abdylmenaf Sejdini.

Nga ana tjetër, një pjesë e madhe e qytetarëve thonë se kriza e rëndë ekonomike, në të cilën ndodhet Maqedonia, e pamundëson udhëtimin e tyre në shtetet e Bashkimit Evropian. Disa prej tyre deklarojnë:

"Në bazë të krizës që është dhe që shihet, besoj se nuk do të ketë shumë mundësi. Një numër i njerëzve do të kalojë në Evropë, por shumica do të mbetet këtu me siguri".

"Të ardhurat janë shumë të ulëta, papunësia është shumë e madhe, pensionet janë të ulëta, kjo është".

"Në Evropë - jo, nuk jemi në gjendje, ekonomia është baza. Kush mund të shkojë në Evropë, me rrogat tona...".

Heqja e vizave nuk nënkupton edhe lëvizjen krejt të lirë të qytetarëve të Maqedonisë. Ata do të kenë të drejtën e qëndrimit në BE për 90 ditë, por për këtë ata duhet të posedojnë edhe dokumentacionin për vendin ku do të udhëtojnë, sigurimin shëndetësor, si dhe mjete financiare, shuma e të cilave do të varet nga kërkesat e autoriteteve doganore në shtetet ku udhëtojnë.

Gjatë qëndrimit në vendet e BE-së, qytetarët e Maqedonisë nuk do të mund të punojnë, pasi për këtë nevojiten marrëveshje të posaçme.


3
Radio ZERI I AMERIKES

Protesta në Prishtinë për mospërfshirje në liberalizimin e vizave
Në Prishtinë, një grup organizatash joqeveritare protestuan sot kundër mospërfshirjes së Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave, ndërsa një pjesë e fqinjëve të saj që nga sot do të udhëtojnë pa viza në shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian. Protestuesit i bënë thirrje këtij bashkimi të ndryshojë qasjen ndaj Kosovës, e cila nuk është njohur nga pesë prej 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Kjo shihet edhe si arsyeja kryesore që Kosova vazhdon të mbetet jashtë këtij procesi.


4

BBC ne shqip


Në Evropën pa viza
Qytetarët nga Maqedonia, Serbia, dhe Mali i Zi mund të udhëtojnë pa viza nëpër të gjitha vendet evropiane që kanë nënshkruar Marrëveshjen e Shengenit.
Ky vendim i BE-së është mirënjohje për përparimin që kanë bërë këto tre vende në rrugën për anëtarësimin e tyre përfundimtar në BE.

Regjimi i vizave për ish-republikat jugosllave u vendos në fillim të luftës në hapsirat e ish- Jugosllavisë, në vitin 1991.

Korrespondentët thonë se në Sheshin e Shkupit mijëra qytetarë kanë festuar këtë "ditë të bardhë - pa viza për Maqedoninë", megjithëse ka pasur mospajtim të këngëtarëve shqiptarë pse nuk janë lejuar që në manifetsimin e mbajtur me këtë të këndojnë në gjuhën e tyre.

Për të shënuar solemnisht ditën e parë të hyrjes në fuqi të liberalizimit të regjimit të vizave, në Paris do të qëndrojnë 100 qytetarë nga Maqedonia, kurse në Bruksel kanë mbërritur dhjetëra qytetarë serbë.

5
'POLITIKA' - BALLKANI

Qysh në vitin 2003 BE vendosi si objektiv të tij zgjerimin me vendet e Ballkanit Perëndimor. Por sa është arritur afrimi dypalësh në të vërtetë?

Komisari i BE-së për zgjerim, Olli Rehn e pati vlerësuar atë si një hap të madh drejt integrimit evropian: vendimin e Këshillit të Ministrave të BE-së në fund të nëntorit për heqjen e vizave për Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë. Prej 19 dhjetorit, qytetarët e këtyre vendeve mund të udhëtojnë pa vizë në Bashkimin Evropian. Në shikim të parë një sinjal pozitiv për rajonin. Por ky vendim fsheh pas vetes një potencial konflikti. Kjo për faktin se Shqipëria, Kosova dhe Bosnje - Hercegovina nuk janë liruar nga regjimi i vizave për shkak se nuk kanë plotësuar kushtet për dhënien e pasaportave biometrike.

Një gabim, mendon Tanja Fajon, raportuesja e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave: "Ndoshta në atë kohë ka qenë një vendim i mirë teknik por ai ka pasoja politike shumë negative për rajonin. Kjo për faktin se në Bosnje - Hercegovinë disa grupe etnike mund të udhëtojnë pa vizë ndërkohë që boshnjakët myslimanë mbeten jashtë liberalizimit të vizave. Ne i izolojmë ata dhe krijojmë ndarje të reja në Ballkanin Perëndimor".

Serbët dhe kroatët e Bosnjës meqenëse kanë dyshtetësinë, me pasaportat e tyre të dyfishta mund të udhëtojnë në vendet e BE-së. Por kjo nuk është e mundur për boshnjakët myslimanë, të cilët nuk kanë një 'vendlindje të dytë'. Me rregullimin e ri po krijohen dy klasa të qytetarëve në Evropën Juglindore, protestojnë disa politikanë, në mesin e tyre edhe ish-përfaqësuesi i bashkësisë ndërkombëtare në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schwarz-Schiling. Bashkimi Evropian përdor kritere të ndryshme vlerësimi. Këtë akuzë e hedh poshtë Zoltán Martinusz nga Këshilli i Ministrave të BE-së. Shqipëria dhe Bosnje - Hercegovina thjesht nuk kanë plotësuar kushtet në të cilat bëjnë pjesë edhe pasaportat e sigurta dhe kontrollet funksionale kufitare: "Dukej e pamundur në Bosnje - Hercegovinë që të plotësoheshin kushtet për liberalizimin e vizave. Dhe meqë ra fjala ato janë përcaktuar nga Komisioni Evropian, pra nga një institucion jopolitik. Kështu që ky ka qenë një vendim konkret e jo politik".

Pikërisht për këtë shumë vëzhgues kanë dyshimet e tyre. Para së gjithash në Kosovë dhe Bosnje -Hercegovinë po shtohet gjithnjë e më shumë frustrimi për BE-në dhe dyshimi për besueshmërinë e politikës së zgjerimit të BE-së, thotë Agron Bajrami, kryeredaktor i gazetës kosovare Koha Ditore: "Ne jemi në dispozicion të Bashkimit Evropian. Por si është puna me Bashkimin Evropian? Në çfarë mase është e gatshme BE-ja që të mendojë seriozisht për Ballkanin Perëndimor si pjesë të Evropës? Më saktë, ashtu si Bashkimi Evropian ka nevojë për lajmet të mira mbi zhvillimet në rajonin tonë ashtu edhe ne kemi nevojë për lajme të mira nga Bashkimi Evropian. Madje edhe më shumë".

Dëshpërimi në Kosovë dhe Bosnje - Hercegovinë është i rrezikshëm. Të dy vendet janë vendimtare për stabilitetin dhe të ardhmen paqësore në rajon dhe kjo është një pjesë qendrore e politikës së BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor. BE po ndjek strategjinë e 'kulaçit dhe kërbaçit". Kulaçi është në këtë rast perspektiva për anëtarësim në BE apo të paktën negociatat për anëtarësim. Ndërsa si kërbaç shërbejnë kushtet që duhet plotësuar nga vendet ballkanike.