Tirana rigjen fitoren

Tirana rigjen fitoren

Tirana rigjen fitoren

Shekulli Online | 21/12/2009 | Sport | komentet 0 KOMENTE | komentet SHARE | -zvogelo shkrimin +zmadho shkrimin

Bardheblutë më në fund rikthehen te fitorja dhe synojnë që të kapin vendin e dytë në renditje

Tirana - Apolonia 4-1

Shënues: Abilaliaj 14′, Muzaka 29′, Hajdari 72′, Dhrami 86′, Memelli 91′ (11-m)


Tirana: Korunovski, Osmani, Pashaj, Sina, Ahmataj, Muzaka (Tushe 72′), Devolli, Lilaj, Muka (Hajdari 54′), Memelli, Abilaliaj (Malindi 68′). Trajner: A.Tafaj

Apolonia: Hoxha, Ragipoviç, Ferizoviç, Mërtiri (Dhrami 46′), S.Çela (Elmazi 27′), Meto, Sem.Haxhibuliç (Çimili 34′), Hoti, Kaçi, Sead Haxhibuliç, Brkiç. Trajner: H.Lika

Kartonë të verdhë: Mërtiri, Kaçi

Gjyqtarë: R.Sadiku, A.Mahmuti, E.Gançi (Elbasan)

Vëzhgues: Petrit Brahja (Tiranë)


"Radiografia"

2′- Brkiç jep një asist për kapitenin Haxhibuliç, ky i fundit gjuan, por largon një mbrojtës i Tiranës.

6′- Sërish një kombinim fierak. Kësaj radhe Brkiç pason për Sead Haxhibuliçin, që në hyrje të zonës gjuan në formë parabole mbi traversë.

14′- Kroson bukur Muka në zonë për Abilaliajn, që kërcen me kokë dhe nuk fal. 1-0 për Tiranën.

29′- Sërish kapiteni dhe lideri i kampionëve, Muka, kësaj radhe kroson për Muzakën, ky i fundit ballë për ballë me Hoxhën gjuan dhe dyfishon rezultatin.

33′- Muzaka depërton në thellësi të zonës së Apolonisë, gjuan, por ka pritur Hoxha.

42′- Abilaliaj kroson për Memellin, që përballë Hoxhës i ka mundësitë të trefishojë, gjuan, por shpërdoron një rast të pastër shënimi.

51′- Kroson Muka në zonë për Ahmatajn, por më parë largon një mbrojtës i Apolonisë.

57′- Çimili "shkarkon" të djathtën e tij në hyrje të zonës, por "sfera" kalon vetëm pak cm mbi traversën e Korunovskit.

67′- I riu Hajdari, pasi mer një top nga Ahmataj, gjuan përballë Hoxhës, por "sfera" e goditur prej tij përfundon jashtë kuadratit fierak.

72′- Memelli kroson për Hajdarin, që kësaj radhe me kokë nuk fal, duke shënuar golin e 3-të për bardheblutë.

78′- Kroson Hoti për Ferizoviçin, që gjuan, por në vijën fatale topin e largon Ahmataj.

79′- Gjuan Meto fort dhe pret bukur Korunovski.

86′- Sulmuesi Dhrami i shpëton mbulimit të Pashajt, futet në zonë, gjuan dhe ngushton shifrat në 3-1.

90′- Hajdari hyn në zonë, ka shqetësimin e dy mbrojtësve të Apolonisë, rrëzohet dhe Sadiku jep 11-m për Tiranën.

90+1′- Gjuan Memelli, shënon, por penalltia përsëritet, pasi nuk është respektuar distanca. Gjuan sërish "Këpuca e Artë" e sezonit të kaluar dhe shënon, duke e çuar rezultatin në 4-1.


Komenti

Bardheblutë më në fund janë rikthyer te fitorja, e cila u mungonte qysh nga java e 12-të në sfidën e zhvilluar në Vlorë me Flamurtarin, ku shënuan Sefa dhe Ahmataj. Kampionët kanë mundur një rival direkt për vendin e dytë dhe zonën europiane, Apoloninë. Si bardheblutë ashtu dhe myzeqarët vinin në këtë sfidë me mungesa të shumta. Loja ka nisur me ritëm nga të dyja ekipet, ndërsa janë miqtë që përpiqen të shënojnë golin e parë, si për të treguar se në Tiranë nuk kanë ardhur thjesht për piknik.

Mirëpo gjuajtjet e Brkiçit dhe kapitenit Haxhibuliç përfundojnë jashtë kuadratit të portës së mbrojtur nga Korunovski. Më pas janë bardheblutë që marrin frenat e lojës në dorë dhe është Muka që kroson në zonë për Abilaliajn dhe sulmuesi vlonjat nuk fal, duke hapur serinë e golave. Fierakët, pas golit, duket se e kanë ulur disi ritmin e lojës. Pas golit të parë është Muzaka në pozicion të dyshimtë që gjuan dhe dyfishon rezultatin. Miqtë nuk dorëzohen, ndërkohë që pas dy golave të pësuar trajneri Hasan Lika hedh sytë nga stoli.

Del Çela i dëmtuar dhe në vend të tij aktivizohet Elmazi, ndërkohë që vendin e Semir Haxhibuliç e zë Çimili, kjo edhe për të riparuar disi gabimet në mbrojtje, që nuk ka qenë në lartësinë e detyrës edhe për shak të mungesës së titullarëve Çarls, Shoshi apo Kelmendi. Fierakët mbrohen, ndërsa bardheblutë bëhen me "krahë" pas golave të Abilaliajt dhe Muzakës. Rastet nuk mungojnë dy herë me anë të sulmuesit vlonjat Abilaliaj dhe një herë me Muzakën, të dy në një ditë mjaft të mirë. Me kaq mbyllet pjesa e parë, ndërkohë që fragmenti i dytë nis me një zëvendësim që ka kryer tekniku mik Lika. Ka dalë nga fusha Mërtiri dhe në vend të tij aktivizohet sulmuesi Dhrami.

Fierakët nuk pajtohen me shifrat dhe hedhin sytë nga porta e Tiranës. Çimili shënjestron portën, gjuan nga distanca, por topi kalon pak cm mbi portën e Korunovskit. Tafaj mendon të freskojë skuadrën dhe në vend të kapitenit Muka, në formë të mirë, aktivizon Hajdarin, që kërkon të lërë gjurmë dhe menjëherë gjuan me kokë, por "sfera" përfundon jashtë. Kur pritej të shënonin fierakët, bardheblutë trefishojnë.

Memelli tregohet zemërgjerë, nuk shënon vetë, por pason për Hajdarin, që nuk gabon. Kryeqytetasit nuk "ngopen" dhe është Memelli që gjuan, por pret Hoxha. 10 minuta para se të përfundonte sfida "zgjohen" fierakët dhe dy herë godasin drejt portës së Korunovskit. Fillimisht Ferizoviç, por topi i gjuajtur prej tij ndalet në vijën fatale dhe një minutë pas tij Meto, por Korunovski e ruan të paprekur portën. Duke qenë në avantazh të tre golave, Tirana lëshon terren.

Dhrami i shpëton mbulimit të Pashajt, futet në zonë dhe shënon golin e parë, duke ngushtuar shifrat. "Oreksi" i bardhebluve nuk ka të ngopur dhe është i riu Hajdari që futet në zonë, pengohet nga mbrojtja mike dhe kryesori Sadiku jep 11-m, të cilin Memelli e kthen në gol. Përfundimisht, bardheblutë rikthehen te fitorja përmes një loje të bukur dhe bindëse, por është për t'u theksuar fakti që sulmi tashmë është kthyer në ditët më të mira. Abilaliaj dhe Memelli, përveç golave, kanë qenë problematikë vazhdimisht për mbrojtjen mike.


Deklarojnë...

Alban Tafaj, trajner i Tiranës: "Jam shumë i kënaqur nga loja e skuadrës, pasi djemtë treguan shpirt të lartë gare dhe e merituam plotësisht fitoren. Më vjen mirë që edhe të rinjtë po e tregojnë veten në fushën e lojës. Ata e kanë pasur gjithmonë përkrahjen time dhe kanë një periudhë të gjatë që janë pjesë e Tiranës. Tashmë duhet të shohim përpara, pasi kemi mundësi për të qenë më lart në klasifikim. Për sa i përket zëvendësimit të Mukës, ai e kërkoi vetë një gjë të tillë."

Hasan Lika, trajner i Apolonisë: "Nuk mendoj se ishte një lojë që duhej të mbyllej me shifra të tilla, mund të kishte rezultat edhe më të bukur. Tirana i shfrytëzoi më mirë rastet, ndërkohë që ne shpërdoruam, pasi e filluam mirë lojën. Mungesat te skuadra e Tiranës nuk u ndjenë, ndërkohë që ne e kemi pasur të vështirë, pasi na kanë munguar disa lojtarë kryesorë. Edhe kur kërkonim që t'i afroheshim zonës, pasi shënuam golin e parë, Tirana përsëri na ndëshkoi."


Të veçanta

- Në tribunën "VIP", krahas presidentit të nderit të Apolonisë, Koço Kokëdhima, presidentit dhe njëkohësisht kryebashkiakut të qytetit të Fierit, Baftjar Zeqaj, ishin të pranishëm edhe presidenti Refik Halili i Tiranës dhe dy drejtuesit e Partizanit, Albert Xhani dhe Paro Laçi.

- Me gjithë kushtet atmosferike aspak të mira, dje në stadium ka pasur një numër të konsiderueshëm tifozësh nga të dy kampet.

- Në fund të takimit, kur tifozët po linin shkallët e stadiumit, ka pasur një grindje mes atyre të Tiranës dhe të Apolonisë përpara stadiumit "Qemal Stafa". Menjëherë kanë ndërhyrë forcat e rendit, që kanë qetësuar situatën.