Bonot, dy muaj afat per te legalizuarit

21/12/2009 15:36

 Ato pak familje prej të legalizuarve të zonave informale, të cilët i kanë paguar paratë për blerjen e tokës sipas çmimeve të caktuara nga qeveria, kanë edhe rreth 2 muaj kohë për të dorëzuar bono privatizimi në këmbim të një pjese të parave të veta. Sipas ligjit përkatës të miratuar në nëntor, familjet në proces legalizimi mund të paguajnë gjysmën e vlerës së tokës përkundrejt bonove të privatizimit, ndërsa ata që i kanë paguar sakaq, mund të tërheqin 50 për qind të vlerës pasi të dorëzojnë kundërvleftën në bono privatizimi. “Për të përfituar nga e drejta e pagesës me bono privatizimi për pjesën e mbetur të detyrimit, apo për rikthimin e shumave të paguara në lekë, në këmbim të dorëzimit të bonove të privatizimit, personat duhet të paraqesin kërkesë me shkrim pranë ALUIZNI-t brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji”, thuhet në ligjin përkatës, i cili hyri në fuqi në mes të nëntorit. Nga ky afat ligjor kanë mbetur më pak se dy muaj, por procesi nuk ka nisur ende. Për më tepër, nuk ka nisur as procesi i pranimit të bonove si pagesë legalizimi për ata që nuk kanë paguar ende.

Zyrtarisht, të legalizuarit që i kanë paguar paratë, do të kenë mundësi të shfrytëzojnë skemën deri në mes të muajit shkurt. Ata do të mund të dorëzojnë letra që kanë vlerë reale prej 10 për qind të vlerës nominale në këmbim të parave të vërteta. Në këtë mënyrë, përfituesit do të mund të marrin deri në disa milionë lekë të vjetra.

Legalizimi

Katër vite më parë qeveria u dha të drejtë atyre që kishin ndërtuar pa leje, që të paguanin çmime simbolike prej deri në 400 mijë lekë për të blerë tokën. Qeveria ka miratuar një pafundësi lehtësirash ligjore deri tani, por ende numri i të legalizuarve që e kanë paguar tokën është aq i vogël, nga zyrat e ALUIZNI-t shpesh mbeten në pamundësi për të shpërndarë pagat e veta. Si pasojë e pamundësisë për t‘i bindur të legalizuarit që të paguanin për tokën qoftë edhe një çmim shumë poshtë atij të tregut, qeveria vendosi t‘u ofrojë një ulje të konsiderueshme sipas skemës së blerjes së tokës me bono privatizimi.

Bonot

Bonot e privatizimit u shpërndanë nga qeveria shqiptare në vitin 1996 si një monedhë e posaçme me të cilën mund të bliheshin aksione në ndërmarrjet nën pronësi publike në proces privatizimi. Qeveria shpërndau 75 miliardë lekë bono privatizimi, vlera e së cilave në këmbim me lekë të vërteta ra që në fillim në 70 për qind. Pjesa dërrmuese e bonove nuk u përdor kurrë, për shkak se ndërmarrjet shtetërore të nxjerra në shitje ishin karakatina që nuk vlenin asgjë, ndërsa ndërmarrjet e mëdha si banka apo telekomunikacioni u shitën investitorëve të huaj përkundrejt parave të vërteta. Në fillim të këtij viti, bonot e privatizimit vijonin të shiteshin në treg, por vlera e tyre qe rreth 2 për qind në blerje dhe 7-8 për qind në shitje. Në qershor të këtij viti, premtimi i Kryeministrit Berisha për blerje toke të legalizuar përmes bonove bëri që interesi i tyre të rritej lehtë deri në 15 për qind, por volumi i përgjithshëm i qarkulluar qe i papërfillshëm. Shumë qytetarë i mbajnë bonot e tyre në shtëpi. Pak shqiptarë i mbajnë për qëllime numizmatike, për shkak të vlerës historike që mbartin. Të dhëna si shpërblim për punën e keqpaguar gjatë kohës së komunizmit, bonot janë njëkohësisht edhe dëshmi e tranzicionit, nga i cili shumica e shqiptarëve dolën të humbur dhe vjedhjeve masive të pronës publike gjatë këtij procesi.