Sëmundja e nënës më detyroi të shisja drogë

11/11/2003 23:41

Sëmundja e nënës më detyroi të shisja drogë

Prej minutës së parë që shkelëm në atë vend, bukuria e asaj vajze na tërhoqi çuditshëm. Dukej ndryshe nga të gjitha gratë e tjera. Tiparet e rregullta, sytë e qeshur ngjyrë jeshile, flokët e zezë të derdhur mbi supe dhe linjat e rregullta trupore, për një çast na shkundën nga realiteti ku ishim dhe na bën të harrojmë motivin e vizitës sonë. Të paktën kishim luksin dhe dëshirën të mendonim se ndoshta ajo bukuroshe gjendej gabimisht atje, ose me siguri edhe pak ditë i kishin mbetur për të lënë pas atë jetë dhe për të nisur një kapitull të ri krejt ndryshe nga ai të cilin po jetonte. Por jo! Arritëm të kuptonim të kundërtën, se S.D ishte vetëm një bashkëvuajtëse e zakonshme mes shumë të tjerave që gjenden në burgun e grave Nr. 325 në Tiranë, një vajzë së cilës i është privuar liria dhe prej tri vitesh i ngrys netët e saj e vetme dhe pa asnjë kontakt me botën e jashtme. 21 vjeçarja vendosi të na tregonte me lot në sy gjithë jetën e saj, motivet se pse ajo aktualisht mban statusin e një të burgosure, çfarë e shtyu drejt kësaj rruge ish gjimnazisten e shkollës “Sami Frashërit” që e kishte ndarë mendjen të bëhej avokate me një karrierë dhe të ardhme profesionale premtuese dhe shumë situata të tjera të pazakonshme të rrëfyera nga goja e saj, të bëjnë të rrëqethesh e të mos e shkëputësh për asnjë çast revistën nga dora! 

Nuk shfaq asnjë shenjë pendese! Madje, edhe nëse koha do të kthehej pas për të jetuar të njëjtën histori, është e bindur se do të vepronte po njësoj, pa ndryshuar as presjen. Ndonëse, kur i duhet të flasë për të kaluarën, ajo thyhet shpejt dhe lotët e tradhtojnë, S.D është e ndërgjegjshme se rruga që nisi kishte vetëm një finale (ndonëse aspak të pëlqyeshme): burgun! Pikënisja e historisë së saj zë fill pikërisht me sëmundjen e pashërueshme të së ëmës. E pafuqishme nga ana ekonomike për t’i ardhur në ndihmë dhe për t’i ofruar asaj gjithçka vetëm që ta mbante në jetë, 21 vjeçarja pohon se zgjodhi rrugën më të shkurtër të përfitimit, pasi nuk kishte tjetër alternativë. “Ditën që mora lajmin se mamaja ime ishte e sëmurë me kancer, nuk e doja më veten....E dija që nuk kishte shpëtim dhe lusja vërtet zotin që të vdisja bashkë me të. Duke qenë fëmijë i vetëm, isha shumë e lidhur me të, ajo ishte prindi i mirë që nuk ngrinte kurrë zërin, ishte shoqja ime, ishte motra, me pak fjalë gjithçka. Kur mësova se ajo do të operohej ndodhesha me disa shoqe të miat të gjimnazit në një kafe bar...një mikja jonë e familjes më telefonoi për të më dhënë lajmin e tmerrshëm të cilin nuk e prisja. Çdo gjë ndodhi kaq shpejt dhe unë gjendesha e papërgatitur përballë kësaj. Isha në vitin e fundit të shkollës së mesme, dhe vendosa ta lija për të gjetur një punë.

 

Pronari nuk më donte për punë

Fillova të bëja bilancet e llogaritë e një lokali, pronarin e të cilit e njihte familja ime. Ai më vuri një pagë shumë të lartë, dhe kjo më bëri të dyshoja...Kurrë nuk doja të shisja trupin apo të më shfrytëzonte punëdhënësi vetëm për një grusht para....Arrita ta konstatoja shumë shpejt qëllimin e tij, filloi të kërkonte të tjera gjëra...dhe unë arrita deri sa ta gjuaja me grushta, ndaj braktisa punën sepse nuk e përballova dot tensionin”, thotë ajo. E gjendur me shpatulla pas murit, S.D u orvat të gjente një zgjidhje të shpejtë për situatën ku ndodhej dhe të gjitha mendimet për të bashkoheshin në një pikë: shitja e drogës dhe fitimi i parave mjaftueshëm sa për t’i ardhur në ndihmë nënës së sëmurë. Nuk ishte aspak e thjeshtë, por ajo e kishte ndarë mendjen. “Fillova të shisja dhe të përdorja lëndë narkotike të llojit heroinë. Nga dëshira për t’i qëndruar mamasë pranë në çdo formë, doja që në momentin kur ajo u shtrua në spital për t’u diagnostikuar të ishte në qendër të vëmendjes së mjekëve, pasi këta të fundit nuk e preknin me dorë. Me paratë që fitoja munda të paguaja operacionin e mamit, t’i blija asaj çdo muaj një ilaç që kushtonte 80 mijë lekë të reja. Ditët e para ajo filloi të bëhej kurioze se ku i gjeja këto lekë, por unë e gënjeja duke i thënë që babai bën dy punë, unë gjithashtu dhe kjo ishte mënyra sesi ia dilnim. Disa kohë më vonë, babit ia thashë të vërtetën dhe ai gati sa nuk u çmend, por tani ishte vonë! Askush nuk mund të më ndalonte në rrugën që kisha nisur. Nuk më kishte shkuar kurrë më parë në mendje që do bëja diçka të tillë, për më tepër që të isha edhe përdoruese e drogës. Dhe kjo dëshirë u forcua edhe më shumë kur ime më nuk e fitoi dot betejën me vdekjen, kjo e fundit e mundi atë pas dy vitesh mundimi. Një arsye më shumë që unë të drogohesha...”, pohon ajo.

 

Miqtë m’u larguan

Pas vdekjes të së emës, jeta e 21 vjeçares do të ndryshonte rrënjësisht. Asgjë për të nuk kishte më vlerë, por i vetmi person që i përcillte një motiv të gjallë për të jetuar ishte i ati. Por, edhe ky i fundit e përjetoi keq humbjen e njeriut të jetës, dhe kjo e vuri edhe më poshtë, filloi të konsumonte alkool, të tjetërsohej si njeri, dhe kjo situatë e bënte S.-në të vuante çdo ditë e më shumë. Tanimë, e përfshirë e gjitha në vorbullën e lëndëve narkotike dhe me shumë syresh bashkëpunëtorë të tjerë që e ndihmonin, jeta e saj nuk ishte më e ajo e para. Në shtëpi dukej vetëm dy orë sa për të fjetur gjumë, e kishte humbur sensin e shoqërisë dhe miqve të vjetër, pasi këta të fundit i ishin larguar kur mësuan rrugën që S. kishte nisur. “Shoqëria e kupton kur fillon ta përdorësh drogën apo të merresh me punë të tilla dhe shmangen, jo vetëm nga frika, por edhe unë nuk kisha më kohë për shoqërinë. Kur ime më ishte e shtruar në spital, rrija gjithë ditën atje, flija vetëm nga ora 5.30-6.30 e mëngjesit. Gjithçka e bëra për të, madje edhe po të kthehej historia pas, unë nuk pendohem për asnjë veprim që kam ndërrmarë deri më tani. Për mamin tim do të bëja gjithçka”, thekson 21 vjeçarja.

 

Dita e arrestimit

Arrestimi i saj do të ndodhte vetëm 10 ditë pas vdekjes së të emës. Po kthehej nga varrezat ku shkonte çdo mëngjes, dhe në çantën kishte futur rreth 50 gr heroinë për përdorim vetjak. Pohon se këtë sasi të madhe e mori për të harruar gjithçka dhe për ta kujtuar këtë histori vetëm si një ëndërr të keqe të së kaluarës. “Natën që më arrestuan, shkova në shtëpi rreth orës 02.00 të mëngjesit bashkë me dy shokë të mitë. Mbaj mend që e rrethuan shtëpinë një grup i madh forcash policie, dëgjoja britmat e fqinjëve që thonin “e arrestuan, e arrestuan”, ndërsa im atë duke qenë se një natë më parë ishte rrëzuar dhe kishte  thyer dorën, qëndronte i shtrirë dhe vetëm ai instinkti dhe zhurmat e bën të çohej në këmbë, por tashmë ishte tepër vonë për të ndryshuar atë çka më priste. Jam e bindur që dikush në rrjetin tonë ka spiunuar, dhe ky personi madje ka futur në burg edhe persona të tjerë. E dija që do përfundoja në burg, pasi gjithçka bëja ishte e rrezikshme. Vetëm lusja zotin që ime më të bëhej mirë dhe kaq, kjo nuk ndodhi por të paktën unë jam e qetë që bëra gjithçka për të.  

 

Gjyqi dhe jeta e saj në burg

Menjëherë pas arrestimit, ajo do të përballej me seanca gjyqësore të njëpasnjëshme, deri sa nga trupi gjykues u mor vendimi për t’u dënuar me pesë vite burg, tri prej të cilave 21 vjeçarja i ka kaluar në burgun Nr.313 në Tiranë, dhe pjesën tjetër në burgun e grave Nr.325. “Ditët këtu i kaloj duke lexuar libra, madje i kam përfunduar të gjitha botimet që gjenden në biblotekën e burgut, kam shoqëri me shumë vajza të tjera dhe përpiqem të shikoj punën time dhe të ruaj raporte të drejta më të gjithë njerëzit. Gjykoj se ende ka persona që më duan, im atë dhe tezja vinë më takojnë çdo javë këtu në burg. Ashtu siç kam edhe një të dashur, edhe ai me statusin e të burgosurit, por që të paktën më bën të ndjehem e lumtur, dhe më jep forcë ta shoh jetën me ngjyra. Shpresoj shumë që kur të dal prej këtej të realizoj objektivat e mia, të vazhdoj studimet e larta për drejtësi ose psikologji dhe kryesorja të hedh pas krahëve këtë periudhë të keqe të jetës sime, të cilën nuk ja dëshiroj askujt. Më shumë se kurrë sot, jam e bindur që në momente të vështira njeriu duhet të kërkoj ndihmë, t’i fitoj gjërat e sigurta ngadalë dhe jo ashtu siç veprova unë. Më mirë të humbasësh një çast të jetës, se jetën në një çast”, përfundon vajza nga Tirana.