Shkresa: Asnje pedagog mos te jape mesim ne privat

20/12/2009 14:33

 Rektorati i Universitetit të Tiranës ka marrë një vendim të rëndësishëm për sa i takon mbarëvajtjes së mësimit në universitete. Pas ankesave të shumta, pas debateve edhe në studion televizive pak ditë më parë, në emisionin “Shqip”, ku përfaqësues të universiteteve kryesore në vend kanë diskutuar lidhur me seriozitetin e profesorëve në punë, sidomos në fakultetet shtetërore, është firmosur një urdhër i prerë nga Rektorati i Universitetit të Tiranës. Studentët janë ankuar për proces jo të rregullt mësimor, për mungesë serioziteti nga ana e pedagogëve, shumica e të cilëve janë më të angazhuar në universitetet private, se në ato shtetërore. Nisur nga kjo, pak ditë më parë dekanët e universiteteve kanë diskutuar mbi një rregull të ri dhe vetëm dje një urdhër i firmosur nga rektori Dhori Kule është shpërndarë në fakultetet e UT-së.

Urdhri

“Urdhri lëshohet bazuar në nevojën që personeli akademik ka për të ushtruar funksionet e tij në përputhje me ligjin për arsimin e lartë, statutin dhe rregulloret e UT-së, si në përputhje me ligjin për arsimin e lartë, dhe në drejtim të procesit të mësimdhënies, ashtu si dhe për veprimtaritë e tyre kërkimore shkencore”, sqaron shkresa. Sipas urdhrit të rektoratit, personeli akademik i universiteteve publike ndalohet të japë mësim te privatët për ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve. Nëse nuk zbatohet, pedagogëve do t‘u ndërpritet kontrata e punës. “Për rrjedhojë‘ personeli akademik efektiv të mos angazhohet në mësimdhënie në institucione private të arsimit të lartë në ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve, ndërsa në Universitetin Europian të Tiranës, në asnjë nga ciklet e studimit”, thuhet në urdhrin e rektoratit. Ndërkaq, në të theksohet se të gjitha strukturat drejtuese të UT-së dhe njësitë përbërëse të tij, duhet të marrin masa për forcimin e zbatimit të detyrimeve ligjore për personelin akademik dhe stafin administrativ që ato drejtojnë.

Problemi

Duke u bazuar në problemet që kanë sot stafet akademike, shtimin e studentëve, miratimin e më shumë programeve të studimit dhe numrit aktual të pedagogëve, në mbledhjen e zhvilluar tri ditë më parë në rektorat, është diskutuar se profesorët duhet të kenë prioritet shtetin dhe më pas privatin. Në të kundërt do t‘u duhet të marrin vendim për t‘u angazhuar më tepër aty ku plotësohen kërkesat dhe pritshmëritë e tyre. Këshillat studentorë, shefat e departamenteve, por edhe dekanët, gjatë kësaj kohe kanë analizuar prezencën, ankesat dhe sugjerimet e studentëve lidhur me prezencën e pedagogëve në fakultete. Pak ditë më parë, në një debat televiziv, përfaqësues të fakulteteve shtetërore dhe private u përfshinë në një debat lidhur me ofertën dhe shërbimet që jepen sot në publik dhe në privat. Studentët kanë shprehur pakënaqësi nga mosangazhimi i plotë i profesorëve gjatë leksioneve dhe seminareve, por edhe duke vlerësuar përvojën dhe traditën e universiteteve publike.