Nga mesnata bie regjimi i vizave për Maqedoninë

 Teksa grumbullonin dokumente dhe prisnin para ambasadave, prej prindërve të tyre dëgjuan për pasaportën e kuqe jugosllave, që ua  hapi kufijtë me të gjitha shtetet. Pasaporta e re biometrike e Maqedonisë me të njëjtën ngjyrë, prej nesër ua hap kufijtë për ne 28 vende evropiane. Këta të rinj, vizave iu thanë JO qw para një viti me nismën "Viza, nuk ka shanse", e cila përfundoi me protesta para ndërtesës së Komisionit Evropian.

"Studentët e çuan zërin në Evropë dhe e dëgjuan të gjithë delegatët, ndonëse në opinion u paraqitën thashetheme të ndryshme se kjo është dhuratë për Maqedoninë për çështje të caktuara që duhet të rregullohen dhe se kjo është një çështje politike, por megjithatë nga aspekti teknik shteti përmbushi detyrimet, kurse studentët dhanë votën e tyre", thotë Miki Trajkoski, kryetar i OJQ “Të rinjtë për të rinjtë”.
Miki, së bashku me bashkëpunëtorët deri para pak kohësh shkonin në Bruksel për të protestuar, duke kërkuar rënien e murit të Shengenit. Tani planifikojnë përsëri vizita në kryeqytetet evropiane, por me qëllime të tjera. Studentët tani në plan të parë kanë bashkëpunimin dhe studimin, por edhe udhëtimin dhe mirëkuptimin.
"Do të mund të ndjekim seminare dhe trajnime për të studiuar dhe në këtë mënyrë studentët mund të vendosin një lloj rrjeti të komunikimit ndërkombëtar me studentët e BE-së dhe kështu do të mund të njihen me Maqedoninë se çfarë është ajo në të vërtetë, pasi ka shumë paragjykime", tha Ivana Damovska, sekretare e përgjithshme e OJQ “Të rinjtë për të rinjtë”.
Aktivistët e rinj mendojnë se me hapjen e kufijve bashkëmoshatarët e tyre nuk do të braktisin vendin. Por shtojnë se me me heqjen e regjimit të vizave nuk janë eliminuar të gjitha pengesat për të udhëtuar.
"... Duhet të kemi fluturime të lira, lidhje më të mirë të Maqedonisë me vendet evropiane, kurse tani ky është një problem, pasi më shumë duhet t’i përdorin vendet e rajonit", thekson Katerina Todorovska, nga OJQ Forumi arsimor rinor.
"Shteti duhet të angazhohet që t’i informojë qytetarët për atë se si  mund të dalin nga Maqedonia, se nuk mundet thjesht, siç ishte shakaja, "maqedonasi i fundit, lutet që të shuajë dritat", shton Miki Trajkoski, kryetar i OJQ “Të rinjtë për të rinjtë”.
Pasaporta biometrike, sigurimi shëndetësor, rezervimi i hotelit ose të dhëna për personin ku do të qëndrojë, këto dokumente plus një shumë parash, qytetarët do të duhet t’i tregojnë në vendkalimet kufitare në 25 vendet e BE-së, si dhe Zvicër, Norvegji dhe Islandë.
A do të kenë qytetarët para të mjaftueshme për të udhëtuar në vendet e BE-së, dhe a do të bëhet interesante pasaporta e Maqedonisë për shtetasit e Shqipërisë dhe Kosovës fqinje të cilët nuk u përfshinë në këtë fazë të heqjes së vizave, ashtu sikurse këtë e bënin shtetasit e Maqedonisë me pasaportat bullgare?